POLITIKË /

Rama: “Pasqyra Albania” do t’i japë qytetarit të drejtën të kontrollojë shtetin: Të shohë me dokumente ku shkojnë taksat

Shkruar nga Versus

Rama: “Pasqyra Albania” do t’i japë qytetarit të

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për platformën e re “Pasqyra Albania”, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që do të ndryshojë marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit.

Në mbledhjen me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, Rama tha se përmes kësaj platforme qytetari do të ketë mundësi të kontrollojë punët publike dhe të shohë se çfarë po bëhet me taksat e tij.

“PasqyrAlbania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin”, deklaroi Rama, duke theksuar se platforma nuk do të jetë thjesht një hapësirë ku publikohet ajo që thotë qeveria, por një sistem ku qytetari mund të gjejë dokumentet dhe faktet që lidhen me një çështje të caktuar.

Sipas kryeministrit, qytetari do të mund të shohë se çfarë po bën qeveria në emër të tij, kush është përgjegjës për një proces, në çfarë faze ndodhet ai dhe mbi cilat dokumente mund të verifikohet informacioni.

Rama u ndal edhe te dezinformimi, duke thënë se qytetari sot shpesh përballet me informacione të ndryshme për projektet publike dhe nuk ka mundësi të kontrollojë vetë se cili është versioni i saktë.

“Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh”, tha ai.

Kryeministri përmendi edhe rastet kur një portal publikon pretendime për një investim publik, duke argumentuar se përgjigjja ndaj këtyre pretendimeve nuk duhet të jetë vetëm një komunikatë e qeverisë.

Sipas Ramës, në “Pasqyrën Albania” qytetari do të mund të gjejë “bazën faktike, dokumentare, shifrën, provën, procesverbalin, mendimin e ekspertit, arsyet e vonesës dhe të gjithë personat përgjegjës”.

Ai tha se kjo do ta ndryshojë pozicionin e qytetarit, duke e kthyer atë nga një “viktimë potenciale e informacionit” në një “mbikëqyrës të shtetit”.

Rama deklaroi gjithashtu se do të ishte e dobishme që në këtë platformë të përfshiheshin edhe pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, megjithëse vendimmarrja për këtë, sipas tij, u takon vetë këtyre dy pushteteve.

Në një tjetër deklaratë gjatë ditës, Rama bëri me dije se brenda disa javësh do të prezantohet edhe seksioni “Flamingo Mirror”, ku sipas tij do të publikohen dokumentet që lidhen me investimet në Sazan dhe Zvërnec.

Poll