POLITIKË /

Magjistratët rritën pagat e tyre, Rama sulmon KLGJ dhe KLP: Janë fytyra e dështimit të Reformës në Drejtësi

Rama e lidhi debatin për pagat edhe me performancën e administratës publike, duke theksuar se krahas nivelit të pagave, një tjetër problem është mungesa e ndëshkimit për performancën negative.

Shkruar nga Versus

Magjistratët rritën pagat e tyre, Rama sulmon KLGJ dhe KLP: Janë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë lidhur me pagat e magjistratëve, të cilat janë ngrirë në Thesarin e Shtetit.

Gjatë mbledhjes së zgjeruar me grupin parlamentar dhe qeverinë, Rama ka drejtuar kritika të forta ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke i cilësuar si “fytyra e dështimit të Reformës në Drejtësi”.

Rama u shpreh se, nëse KLGJ dhe KLP e konsiderojnë të pamjaftueshëm nivelin e pagave të tyre, atëherë situata është edhe më problematike për punonjësit e administratës publike, të cilët sipas tij marrin paga disa herë më të ulëta.

“Kur është e pamjaftueshme për KLP dhe KLGJ paga, përfytyroni për të tjerët. KLP dhe KLGJ, dy struktura që janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi, nëse SPAK dhe GJKKO apo disa të tjera janë fytyra e suksesit, KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit”, deklaroi Rama.
Kryeministri kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, qeveriset sistemi i drejtësisë, duke pretenduar se ndikimet e vjetra vijojnë të jenë të pranishme.

“Qeverisin gjyqësorin më pak se ç’qeveriset gjyqësori nga zakonet e vjetra dhe nga njerëzit mbrapa perdeve”, tha ai.

Rama e lidhi debatin për pagat edhe me performancën e administratës publike, duke theksuar se krahas nivelit të pagave, një tjetër problem është mungesa e ndëshkimit për performancën negative.

Në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi njëkohësisht një pjesë të administratës publike, duke sjellë si shembull rreth 1000 punonjës që, sipas tij, kanë përfaqësuar me sukses Shqipërinë në Bruksel gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

“Jo 10, por 1000 punonjës të këtij shteti kanë shkëlqyer në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, në procesin më sfidues për çdo shtet që do të futet në BE, që është diagnostikimi i problematikave që ka shteti”, u shpreh Rama.

Poll