
Lejet e ndërtimit janë kthyer në shpërblime të majme për njerëzit që punojnë për mazhorancën aktuale, pasi familjarët e tyre janë kthyer në ndërtuesit më të mëdhenj në Shqipëri, kryesisht në Tiranë. Projekti i radhës brenda mazhorancës vjen në rrugën “Niko Avrami” në kryeqytet, ku firma e Lulzim Qefalisë, dikur administrator i Njësisë në Dajt, ka marrë një super leje për të ngritur një përbindësh, ku rreth asaj lagje janë vetëm godina të vogla.
Përfituesit e lejes kanë lidhje tepër të ngushta në qeveri, pasi aksioneri i firmës “Dajti Park” është edhe vëllai i Xhemal Qefalisë, ish-deputet dhe aktualisht zv.ministër i Brendshëm, i përfolur për disa firma në projekte me vlerë qindra miliona euro. Ndoshta besnikëria e Qefalisë për të vendosur firmën te projekti “Smart City”, me vlerë 140 milionë euro, mund të ketë ndikuar në dhënien dhe zbardhjen në kohë rekord të kësaj leje ndërtimi.

Por, përpos këtyre lidhjeve, tepër e diskutueshme është ngritja e çibanëve dhe kullave të larta në zona që dikur kanë qenë me vila dhe godina të ulta, duke e kthyer zonën në kaos. Të ndërtosh në një sipërfaqe të madhe mijëra metra katrorë, tepër të larta, do të thotë t’ia marrësh frymën të gjithë zonës, njëjtë siç po ndodh edhe në Komunën e Parisit, ku kulla 24 kate ka sjellë kaos për të gjithë banorët.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, KKTU ka zbardhur ditët e fundit lejen me objekt “godinë banimi dhe shërbimi Dajti Park, me 5 deri 21 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë”, me vendndodhje në rrugën Niko Avrami. Subjekti ndërtues është shoqëria “Dajti Park 2007”, me pronarë Lulzim Qefalia dhe Desart Kalaja.
Në dokumentet shoqëruese të kësaj leje shikohet se kulla 21 kate mbitokë do të ngrihet në një zonë të qetë, në rrugën “Niko Avrami”. “Objekti që propozohet ndodhet në zonën veri-lindore të Tiranës. Pozicioni i pronës është i favorshëm dhe lehtësisht i aksesueshëm.
Zona përreth ka ndërtime të cilat janë kryesisht objekte banimi me lartësi 1-5 kate me funksion banim dhe shërbime. Sipërfaqja e pronës është 2705.02 m2”, thuhet në dokument.
Në dokumente shkruhet se në brendësi të lagjes, në rrugët dytësore të ngushta që lidhen drejtpërdrejt me pronën, dominojnë ndërtesa ekzistuese 1-3 kate, kryesisht shtëpi individuale me çati të pjerrëta me tjegulla dhe godina të vogla me funksion banimi.
“Një pjesë e tyre janë të amortizuara dhe nuk përmbajnë vlera të veçanta për t’u ruajtur. Në disa prej objekteve, katet përdhe shfrytëzohen pjesërisht për shërbime të vogla (dyqane, punishte, njësi tregtare), ndërsa pjesa tjetër ruan funksionin banim”, thuhet në dokumente.
Vox News shfletoi dokumente të tjera, render të lejes së ndërtimit, ku duket edhe kulla gjigande.
“Objekti përbëhet nga dy volume të larta, të cilat krijojnë një konfigurim dramatik me një ‘zbrazëti’ të madhe qendrore në formë gërme U ose si një masë e prerë në mënyrë të çrregullt. Forma duket si një masiv i gërryer gradualisht, duke krijuar tarraca të shumëfishta që ngrihen lart me ritëm të ndryshueshëm”, vijon dokumenti.
Sipas tij, fasada është i trajtuar me një ngjyrë rozë të ngrohtë që e dallon objektin nga ndërtesat përreth.
“Një sipërfaqe e butë, me pamje monolite, por shpërthyese përmes hapjeve të shumta. Dritaret janë të formatit harkor, të përsëritura në një ritëm të dendur. Vendosja e tyre nuk ndjek një grilë uniforme - ato shpërndahen në mënyrë të lirshme. Elementi kryesor skulpturor është shkallëzimi i vazhdueshëm i volumit, i cili krijon tarraca në çdo nivel. Në këto tarraca është mbjellë gjelbërim i dendur dekorativ: pemë të vogla, shkurre, e bimë që vijojnë lart deri në majë”, thuhet në dokumente./Voxnews

