
Rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje pritet të jetë i lartë në pjesën më të madhe të territorit të vendit gjatë pasdites së sotme dhe veçanërisht gjatë ditës së shtunë, 5 shtator.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, qarqet që paraqesin nivel të lartë rreziku janë Shkodra, Dibra, Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Vlora dhe Gjirokastra.
Në Kukës dhe Korçë niveli i përgjithshëm i rrezikut parashikohet të jetë i moderuar, por në zona të caktuara pritet rrezik i lartë. Bëhet fjalë për verilindjen e qarkut Kukës dhe jugun e qarkut Korçë.
IGJEO vlerëson se situata më problematike pritet të jetë gjatë së shtunës, kur temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve mund të favorizojnë përhapjen e zjarreve.
Sipas parashikimit meteorologjik, nuk priten reshje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në të gjitha qarqet e vendit.
Temperaturat maksimale të shtunën do të arrijnë deri në 33°C në zonat bregdetare, 36°C në zonat e ulëta dhe 34°C në zonat malore. Temperaturat minimale pritet të jenë 21°C në bregdet, 18°C në zonat e ulëta dhe 12°C në zonat malore.
Era do të jetë e lehtë deri mesatare, por në bregdet dhe në zonat malore pritet të forcohet për momente, duke rritur potencialisht rrezikun për përhapjen e zjarreve./Versus.al

