
Vrasja e 65-vjeçarit Viktor (Marku) Bardhi në fshatin Ndërfushas të Mirditës vijon të mbetet pa autor, ndërsa Policia dhe Prokuroria e Lezhës po vijojnë hetimet për zbardhjen e atentatit.
Rreth 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga grupi hetimor. Mes tyre raportohet se ka edhe anëtarë të fisit Reçi, ndërsa një nga pistat që po hetohet është ajo e një konflikti të hershëm mes familjeve dhe hakmarrjes së mundshme.
Hetuesit po verifikojnë historikun e përplasjeve mes familjeve Bardhi dhe Reçi, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe faktit se gjatë viteve të fundit janë vrarë tre anëtarë të familjes Bardhi.
Mes tyre janë Martin Bardhi, i ekzekutuar në Rrëshen në vitin 2023, dhe Kristjan Bardhi (Marku), i vrarë në Novoselë të Vlorës.
Personat e shoqëruar janë lënë të lirë pas dhënies së dëshmive, ndërsa deri tani nuk ka një të arrestuar për vrasjen e 65-vjeçarit.
Një nga vështirësitë e hetimit është mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati. Për këtë arsye, grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave në hyrje të Rrëshenit dhe përgjatë aksit të Rrugës së Kombit, me qëllim identifikimin e lëvizjeve të autorëve dhe automjeteve të dyshuara.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe janë kujdesur të zhdukin gjurmët. Bardhi u qëllua me armë zjarri, dyshohet me silenciator, rreth një kilometër larg banesës së tij.
Pas atentatit, automjeti i dyshuar se është përdorur nga autorët u dogj në zonën e Munazit, në Rubik, rreth 10 kilometra larg vendit të ngjarjes.
Viktor Bardhi punonte pranë Ujësjellësit të Mirditës dhe në momentin e vrasjes kishte dalë nga banesa për të kryer detyrën e tij dhe për të hapur furnizimin me ujë të pijshëm në zonë.
Automjeti i tij, një Mercedes-Benz i bardhë, u gjet i qëlluar me breshëri plumbash.
Pavarësisht konflikteve të mëparshme mes familjeve, 65-vjeçari vijonte të jetonte dhe të lëvizte normalisht, pa masa të posaçme mbrojtjeje. Hetuesit po vijojnë punën për të përcaktuar autorët dhe motivin e saktë të atentatit./Versus.al

