POLITIKË /

"Kjo është një tjetër pikë e ulët", Rama debat me demokratët evropianë në rrjetet sociale për mbylljen e 200 profileve në Instagram

Në një postim në rrjetin social X, Rama kundërshton deklaratat e demokratëve evropianë dhe veçon atë që e cilëson si një “aludim të paturpshëm vizual”.

Shkruar nga Versus

"Kjo është një tjetër pikë e ulët", Rama

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe demokratëve evropianë vijon në rrjetet sociale, pas debatit për kufizimin e disa llogarive të opozitës dhe aktivistëve në platformat sociale.

Pas reagimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Evropiane (EDP), Sandro Gozi, ka reaguar sërish kryeministri Rama. Në një postim në rrjetin social X, Rama kundërshton deklaratat e demokratëve evropianë dhe veçon atë që e cilëson si një “aludim të paturpshëm vizual”.

“Jo, kjo është një tjetër pikë e ulët. Ajo që e urreva ishte aludimi juaj i paturpshëm vizual, dhe fakti që refuzoni ta trajtoni këtë tregon saktësisht se çfarë lloj demokratësh jeni. Më vjen keq!”, shkruan Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen pasi Gozi iu përgjigj publikisht duke mohuar se EDP kishte akuzuar qeverinë shqiptare për pezullimin e llogarive në rrjetet sociale.

Gozi deklaroi se demokratët evropianë kishin kërkuar transparencë nga Meta dhe shqyrtimin e situatës nga Komisioni Evropian, duke theksuar se shqetësimi i tyre lidhej me kufizimin apo çaktivizimin e një numri llogarish të opozitës dhe aktivistëve.

“Kryeministër Edi Rama, fyerjet nuk u japin përgjigje pyetjeve”, shkroi Gozi në reagimin e tij.

Sekretari i Përgjithshëm i EDP-së theksoi se kërkimi i sqarimeve nuk mund të konsiderohet “agjitacion” dhe se demokratët evropianë do të vijojnë të mbrojnë pluralizmin politik dhe lirinë e shprehjes.

Nga ana tjetër, Rama ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të qeverisë shqiptare në kufizimin e llogarive, duke argumentuar se institucionet shqiptare nuk kanë as lidhje dhe as kapacitet teknik për të ndërhyrë në platformat sociale.

Kryeministri ka akuzuar më herët kritikët për propagandë dhe ka hedhur dyshime se situata mund të jetë e lidhur me “të njëjtat burime dashakeqe” që, sipas tij, nxitën edhe të ashtuquajturin “Revolucion Flamingo”./Versus.al

Poll