Çfarë do të gjeni në brendësi
Një histori e gjatë përplasjesh mes fiseve Bardhi dhe Reçi në Rrëshen ka sjellë ndër vite disa viktima. Mëngjesin e sotëm, lista u zgjerua me 65-vjeçarin Viktor Bardhi, i cili u ekzekutua me armë zjarri në fshatin Ndërfushas. Në shtator të vitit 2023, vëllai i tij, Martin Bardhi, u vra me breshëri kallashnikovi në lokalin e tij, pak kohë pasi kishte dalë nga paraburgimi i Lezhës. Martin Bardhi ishte arrestuar më herët në lidhje me një tentativë për vrasjen e Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit, i cili ishte vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar 2020. Një tjetër zhvillim që po hetohet nga policia është djegia e një automjeti në fshatin Rrethi i Ri, pranë Rubikut, rreth 20 minuta pas vrasjes.
Ekzekutimi i Viktor Bardhit/ Shoqërohet një person në polici, drejtori i Lezhës: Gjetëm edhe një makinë të djegur
Një person është shoqëruar nga policia pas vrasjes së 65-vjeçarit Viktor Bardhi në fshatin Ndërfushas të Mirditës.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muçaj, bëri të ditur se hetuesit kanë një pistë kryesore për ngjarjen, por për shkak të dinamikës së hetimit nuk mund të japin detaje të tjera.
Muçaj tha se policia është njoftuar rreth orës 08:55 për vrasjen e një personi brenda automjetit të tij. Grupi hetimor mbërriti në vendngjarje dhe nisi mbledhjen e provave, ndërsa viktima u identifikua si Viktor Marku, i datëlindjes 1961.
“Për momentin kemi një të shoqëruar dhe një pistë hetimi. Për shkak të dinamikës së hetimit nuk mund të bëhen publike detaje të tjera”, deklaroi drejtori i Policisë së Lezhës.
Një tjetër zhvillim që po hetohet nga policia është djegia e një automjeti në fshatin Rrethi i Ri, pranë Rubikut, rreth 20 minuta pas vrasjes.
Për automjetin e djegur është ngritur një grup i dytë hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar nëse makina ka lidhje me ekzekutimin e 65-vjeçarit.
“Po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët dhe do të jemi për një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje me këtë ngjarje. Kemi të shoqëruar dhe pistat tona i kemi, por nuk mund t’i ndajmë në këtë moment me mediat”, u shpreh Muçaj.
Drejtori i Policisë së Lezhës konfirmoi se në makinën e viktimës nuk është gjetur armë.
Viktor Bardhi u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij në Ndërfushas. Në makinën e tij janë konstatuar disa shenja plumbash, ndërsa dyshohet se ndaj 65-vjeçarit është qëlluar me breshëri.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motivit të vrasjes.
FOTO/ U ekzekutua brenda makinës, flet banori që e takoi Viktor Bardhin: Punonte në Ujësjellës, ishte nisur për të hapur ujin

Viktor Bardhi, 65 vjeç, u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ndërsa ndodhej në automjetin e tij.
Një banor i zonës ka rrëfyer se e kishte takuar viktimën pak para ngjarjes. Sipas tij, Bardhi punonte në Ujësjellës dhe ishte nisur për të hapur ujin.
“Jam përshëndetur kalimthi sot. Ai po shkonte të hapte ujin, punonte me ujësjellësin. Ishte duke shkuar atje, por e vranë. Ai ka qenë burrë, nuk është ruajtur kurrë”, ka treguar banori.
Paraprakisht dyshohet se 65-vjeçarit i është zënë pritë gjatë rrugës. Autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, ndërsa ai ndodhej brenda makinës.
Automjeti është gjetur pranë një kanali dhe në xhamin e përparmë dallohen qartë shenjat e shumta të plumbave, duke treguar se ndaj viktimës është qëlluar me breshëri.
Sipas të dhënave paraprake, Bardhi ka qenë i përfshirë më herët në një konflikt hasmërie. Megjithatë, banori shprehet se ai nuk ruhej dhe vazhdonte të lëvizte i qetë në zonë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të vrasjes.
Të shtëna me armë në Mirditë, raportohet për një viktimë
Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e kësaj të enjteje në Mirditë, ku dyshohet se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Burime paraprake bëjnë me dije se nga të shtënat mund të ketë humbur jetën një person, por ky informacion nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga Policia.
Forcat e rendit pritet të japin detaje mbi ngjarjen, ndërsa mbetet për t’u sqaruar vendi ku ka ndodhur incidenti, rrethanat dhe identiteti i personit të dyshuar si viktimë./Versus.al

