AKTUALITET /

27 vatra zjarri në 24 orë/ Tre vatra vijojnë të jenë aktive, situata më kritike në Dibër

Qarku Dibër paraqitet ndër zonat më të prekura, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Shkruar nga Versus

27 vatra zjarri në 24 orë/ Tre vatra vijojnë të jenë

Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike, me 27 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat tre janë ende aktive.

Qarku Dibër paraqitet ndër zonat më të prekura, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri ka përshkuar mbi 18 hektarë, ndërsa operacioni i shuarjes vijon me angazhimin e forcave zjarrfikëse, strukturave të bashkisë dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Ndërhyrje po kryhen edhe në Lundre dhe Mallunxë të Matit, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen dhe riaktivizimin e flakëve.

Problematike paraqitet situata edhe në Dajt–Qafë Priskë, megjithatë autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në këtë zonë operacioni vijon me mbështetjen e 30 efektivëve të FA.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet e 24 orëve të fundit janë angazhuar 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 80 efektivë dhe tre helikopterë.

Nën mbikëqyrje vijojnë të jenë edhe vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz. Në këtë të fundit, për shkak të terrenit të vështirë, gjatë ditës së djeshme është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit./Versus.al

Tags:

zjarre

Poll