
Jozefin Marku ka reaguar pas publikimit të videos ku shfaqet së bashku me disa persona të tjerë duke dhunuar ish-konkurrentin e “Përputhen”, Edi Kuçi.
Në një komunikim me Top Channel Web, Marku pretendon se ngjarja e filmuar në autostradën Tiranë-Durrës nuk ka ndodhur realisht, por sipas tij bëhet fjalë për një skenë të inskenuar.
“Asgjë s’ka ndodhur, jemi aktorë, e kemi bërë vetë”, është shprehur Marku përmes mesazheve.
I pyetur edhe për raportimet lidhur me urdhrin e ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Pejës, Marku e ka mohuar një gjë të tillë, duke e cilësuar informacionin si të pavërtetë.
“Janë fake, nuk kam arsye të jem atje”, ka pretenduar ai.
Reagimi i Markut vjen pasi pamjet e incidentit kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Kosovë.

