
Klodiana Spahiu është emëruar ministre e re e Shëndetësisë, duke marrë drejtimin e një prej dikastereve më të rëndësishme, pas dorëheqjes së Evis Salës.
Me një karrierë të ndërtuar prej vitesh në mjekësi, Spahiu vjen në këtë detyrë me një profil të lidhur ngushtë me sistemin shëndetësor dhe me përvojën e drejtpërdrejtë në profesionin e mjekut.
Ajo është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1997 dhe më pas është specializuar në kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”. Përgjatë viteve, formimi i saj është pasuruar me specializime të ndryshme, si në kardiologjinë joinvazive dhe atë invazive, disa prej të cilave i ka ndjekur edhe në Itali.
Përveç punës klinike, Spahiu ka ndërtuar një eksperiencë të rëndësishme edhe në drejtimin e institucioneve shëndetësore. Ajo ka punuar si kardiologe në QSUT dhe në Spitalin e Durrësit, ku më pas ka mbajtur edhe detyrën e drejtoreshës.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e profilit të saj është angazhimi në arsim. Për vite me radhë ka qenë pjesë e botës akademike, duke dhënë mësim në institucione të arsimit të lartë dhe duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të profesionistëve të mjekësisë.
Në vitet 2012–2014 ka përfunduar masterin profesional në “Menaxhim Shëndetësor”, ndërsa mban edhe titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Nga auditorët dhe sallat e spitaleve, ku ka ushtruar për vite profesionin e saj, Klodiana Spahiu kalon tashmë në një tjetër përgjegjësi: drejtimin e politikave shëndetësore në vend.
Një sfidë e re për një mjeke me një karrierë të gjatë në sistem, e cila tashmë do të duhet ta shohë shëndetësinë jo vetëm nga këndvështrimi i mjekut, por edhe nga ai i drejtueses së institucionit që përcakton politikat e saj.

