
Një valë mbylljesh të profileve në Instagram është denoncuar gjatë orëve të fundit nga figura opozitare dhe aktivistë që kanë mbështetur protestat kundër qeverisë.
Sipas deputetes së pavarur Marjana Koçeku, mbi 200 faqe në Instagram janë mbyllur, kryesisht profile që kanë publikuar dhe shpërndarë përmbajtje nga protestat.
Mes llogarive të prekura janë edhe profili i kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe ai i ekspertit të IT-së, Gent Progni.
Më herët, një muaj më parë u mbyll në tik tok dhe profili i medias "Zëri.al"
Ka qenë vetë Shehaj që ka njoftuar për mbylljen e profilit të tij, ndërsa Koçeku e ka cilësuar situatën si një valë sulmesh online ndaj figurave opozitare dhe faqeve me ndikim publik.
“Nji valë sulmesh online ka nisë veçanërisht që ditën e djeshme kundër disa figurave opozitare me ndikim politik dhe publik. Mbi 200 faqe Instagrami me përmbajtje nga protestat janë mbyllë”, shkruan Koçeku.
Ajo ka ngritur dyshime për një përpjekje për të kufizuar përhapjen e përmbajtjeve që lidhen me protestat, duke e lidhur situatën edhe me debatin për sigurinë online dhe lirinë e shprehjes.
Koçeku ka bërë të ditur se për këtë çështje ka raportuar edhe në institucionet e Bashkimit Europian.
Ndërkohë, nuk ka ende një konfirmim zyrtar që mbyllja e këtyre llogarive është rezultat i një sulmi të koordinuar apo se pas saj qëndrojnë persona ose institucione të caktuara.

