
Shqipëria ka ndaluar zyrtarisht nga sot importin e mishit dhe nënprodukteve të tij nga Brazili.
Vendimi vjen pas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, sipas të cilit Brazili është hequr nga lista e vendeve të autorizuara nga Bashkimi Europian për eksportin e këtyre produkteve.
Masa është marrë për shkak të mungesës së garancive të nevojshme për sigurinë ushqimore, veçanërisht lidhur me përdorimin e antibiotikëve dhe stimuluesve të rritjes te kafshët.
Megjithatë, ndalimi nuk prek ngarkesat që janë pajisur me certifikata përpara datës 3 shtator. Këto ngarkesa me mish shpendësh dhe gjedhi do të vijojnë të pranohen edhe nëse mbërrijnë në Shqipëri pas kësaj date.
Brazili ka qenë prej më shumë se dy dekadash një prej furnizuesve kryesorë të tregut shqiptar me mish. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm gjatë periudhës janar-qershor Shqipëria ka importuar rreth 23 mijë tonë mish, me vlerë totale 46.3 milionë euro.
Nga kjo sasi, rreth 34.6% e importeve kanë ardhur nga Brazili, duke e renditur këtë shtet si furnizuesin kryesor të tregut shqiptar.
Ndalimi i importeve nga Brazili pritet të ndikojë në mënyrën e furnizimit të tregut vendas, ndërsa mbetet për t’u parë nëse masa do të reflektohet edhe në çmimet e mishit për konsumatorët.

