
Kosova vijon të mbetet në ngërç institucional pas zgjedhjeve të qershorit, ndërsa ende nuk janë krijuar institucionet e reja të vendit.
Aktualisht, Kosova ka një president në detyrë, nuk ka kryetar të ri të Kuvendit dhe qeveria drejtohet nga një kryeministër në detyrë. Po ashtu, një numër institucionesh të pavarura, agjencish dhe bordesh vijojnë të funksionojnë me ushtrues detyre.
Në këtë situatë, një nga çështjet kryesore është mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, nëse nuk arrihet marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri dhe zhbllokimin e institucioneve.
Përgjegjësia për tejkalimin e krizës u takon liderëve të partive politike, të cilët deri më tani nuk kanë arritur të ndërtojnë konsensusin e nevojshëm.
Ngërçi institucional po ngre shqetësime edhe për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Mungesa e institucioneve të plota funksionale mund të dobësojë pozicionin e Prishtinës në raport me shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe në qendrat kryesore të vendimmarrjes ndërkombëtare, veçanërisht në Washington dhe Bruksel.
Presidenti i ri pritet të ketë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme të Kosovës, përfshirë përpjekjet për njohje të reja dhe avancimin e proceseve të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, organizata “Republican Serbs”, përmes iniciativës “Serbs for Trump”, ka paralajmëruar një aktivitet politik në Dallas të Teksasit më 9 shtator 2026.
Aktiviteti, i planifikuar nga ora 17:00 deri në 19:00 në Frankie’s Downtown, zhvillohet në kuadër të “RNC Week 2026” dhe, sipas organizatorëve, synon mobilizimin politik të komunitetit serbo-amerikan në prag të zgjedhjeve afatmesme në SHBA.
Zhvillimet politike në Washington marrin rëndësi edhe për Kosovën, në një kohë kur vendi përballet me një situatë të brishtë institucionale dhe me sfida të rëndësishme në politikën e jashtme./Versus.al

