
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka deklaruar se të gjitha strukturat dhe forcat e nevojshme janë angazhuar për përballimin e situatës së krijuar nga zjarri në Fier.
Sipas Çakos, në operacion janë përfshirë forcat tokësore dhe ato ajrore, si dhe njësitë vendore, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me helikopter. Ai tha se prioritet mbetet vënia nën kontroll e flakëve dhe mbrojtja e zonave të banuara.
Situata është rënduar për shkak të erës dhe temperaturave të larta, të cilat kanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Çako theksoi se po punohet për të shmangur çdo rrezik për banorët dhe bizneset pranë vatrave të zjarrit.
Në gatishmëri janë edhe kapacitetet për evakuimin e banorëve, ndërsa disa njësi biznesi që kanë qenë pranë flakëve janë arritur të mbrohen dhe nuk janë përfshirë nga zjarri.
“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri. Jemi duke punuar për të vendosur përfundimisht në kontroll zjarrin”, u shpreh Çako.
Ai u bëri apel qytetarëve të tregohen veçanërisht të kujdesshëm me zjarret, duke marrë parasysh temperaturat e larta dhe kushtet e favorshme për përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, për shkak të rrezikut të shtuar, kanë nisur edhe evakuimet e para të banorëve nga zonat e prekura./Versus.al
View this post on Instagram

