AKTUALITET /

Ekzekutimi i Viktor Bardhit/ Shoqërohet një person në polici, drejtori i Lezhës: Gjetëm edhe një makinë të djegur

Një tjetër zhvillim që po hetohet nga policia është djegia e një automjeti në fshatin Rrethi i Ri, pranë Rubikut, rreth 20 minuta pas vrasjes.

Shkruar nga Versus

Ekzekutimi i Viktor Bardhit/ Shoqërohet një person në polici,  
Një person është shoqëruar nga policia pas vrasjes së 65-vjeçarit Viktor Bardhi në fshatin Ndërfushas të Mirditës.

Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muçaj, bëri të ditur se hetuesit kanë një pistë kryesore për ngjarjen, por për shkak të dinamikës së hetimit nuk mund të japin detaje të tjera.

Muçaj tha se policia është njoftuar rreth orës 08:55 për vrasjen e një personi brenda automjetit të tij. Grupi hetimor mbërriti në vendngjarje dhe nisi mbledhjen e provave, ndërsa viktima u identifikua si Viktor Marku, i datëlindjes 1961.

“Për momentin kemi një të shoqëruar dhe një pistë hetimi. Për shkak të dinamikës së hetimit nuk mund të bëhen publike detaje të tjera”, deklaroi drejtori i Policisë së Lezhës.

Një tjetër zhvillim që po hetohet nga policia është djegia e një automjeti në fshatin Rrethi i Ri, pranë Rubikut, rreth 20 minuta pas vrasjes.

Për automjetin e djegur është ngritur një grup i dytë hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar nëse makina ka lidhje me ekzekutimin e 65-vjeçarit.

“Po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët dhe do të jemi për një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje me këtë ngjarje. Kemi të shoqëruar dhe pistat tona i kemi, por nuk mund t’i ndajmë në këtë moment me mediat”, u shpreh Muçaj.

Drejtori i Policisë së Lezhës konfirmoi se në makinën e viktimës nuk është gjetur armë.

Viktor Bardhi u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij në Ndërfushas. Në makinën e tij janë konstatuar disa shenja plumbash, ndërsa dyshohet se ndaj 65-vjeçarit është qëlluar me breshëri.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motivit të vrasjes.

Poll