
Një ditë pas dorëheqjes së Evis Salës nga posti i ministres së Shëndetësisë, Rama ka emëruar në vend të saj deputeten socialiste Klodiana Spahiu.
Spahiu është me profesion mjeke dhe aktualisht ushtron detyrën e deputetes së Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit. Ajo mban gjithashtu postin e nënkryetares së Kuvendit, në radhët e grupit parlamentar socialist.
Evis Sala dha dorëheqjen nga posti i ministres së Shëndetësisë ditën e djeshme, pas më pak se një viti në detyrë. Në argumentimin e saj, Sala tha se vendimi lidhet me dëshirën për të vijuar karrierën akademike.
Ndërkohë, emërimi i Klodiana Spahiut në krye të Ministrisë së Shëndetësisë pritet të shqyrtohet në seancën parlamentare të së martës.
Nëse konfirmohet, Spahiu do të marrë drejtimin e dikasterit të Shëndetësisë në një moment kur sektori përballet me një sërë sfidash, ndërsa ndryshimi në krye të ministrisë vjen pas largimit të papritur të Evis Salës./Versus.al


