AKTUALITET /

Serbia nderoi Ratko Mlladiç, Ditmir Bushati: Pa dënuar kriminelët e luftës, s'mund të ketë anëtarësim në BE

Bushati nënvizon se demokratizimi dhe europianizimi i Serbisë dhe i rajonit kërkojnë një shkëputje të qartë nga ideologjitë që justifikojnë krimet e luftës dhe gjenocidin

Shkruar nga Versus

Serbia nderoi Ratko Mlladiç, Ditmir Bushati: Pa dënuar

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas ceremonisë shtetërore në Serbi për sjelljen e trupit të pajetë të Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime lufte.

Bushati shprehet se mënyra se si Serbia ka trajtuar vdekjen e Mlladiçit tregon se vendi ende nuk është përballur me të kaluarën e tij dhe me përgjegjësitë për luftërat e viteve ’90.

Sipas tij, në vend që të pranojë përgjegjësinë për krimet, Serbia vijon të flasë për “padrejtësi historike ndaj serbëve”.

“Serbia nuk mund të ndërtojë një identitet demokratik të qëndrueshëm e as të konsiderohet faktor stabiliteti në rajon pa pranuar përgjegjësitë për luftërat e viteve ’90”, shkruan Bushati.

Ai thekson se luftërat e asaj periudhe nuk ishin rezultat i “padrejtësive historike”, por pasojë e politikave të ndjekura nga Beogradi.

Bushati nënvizon se demokratizimi dhe europianizimi i Serbisë dhe i rajonit kërkojnë një shkëputje të qartë nga ideologjitë që justifikojnë krimet e luftës dhe gjenocidin.

“Mlladiç vdiq, ndërsa ideologjia që e shndërroi atë në hero vazhdon të jetojë”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, ish-ministri i Jashtëm ngre pikëpyetje edhe për qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit apo relativizimit të gjenocidit.

“Edhe për sa kohë do të trajtohen glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, si dhe mohimi e relativizimi i gjenocidit, thjesht si një tjetër mosmarrëveshje politike në Ballkan?”, pyet Bushati.

Në fund, ai thekson se përballja me krimet e luftës dhe pranimi i përgjegjësive për të kaluarën duhet të mbeten pjesë e pandashme e procesit të demokratizimit dhe europianizimit të Serbisë./Versus.al

 

Poll