Live Updates /

Sezoni i ri politik/ Rama: “Prania Besnike” nis të premten! Vepër penale ndërhyrja e deputetëve për punësime në administratë!

*Duke nisur nga kjo e premte, 4 shtator, në orën 17:00, qeveria dhe deputetët e Partisë Socialiste do të nisin takimet me qytetarët në kuadër të nismës së quajtur “Prania Besnike”. *Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të PS-së dhe ministrat, ku prezantoi edhe rregullat që do të shoqërojnë këtë proces. *Rama tha se takimet do të zhvillohen çdo të premte, në të gjithë territorin e vendit dhe nuk do të kenë karakter propagandistik. Sipas tij, qëllimi kryesor do të jetë dëgjimi i qytetarëve dhe evidentimi i problemeve të tyre, të cilat më pas duhet të ndiqen përmes rrugëve institucionale. *Rama tha se deputetët nuk duhet të telefonojnë drejtorët për t’u kërkuar favore, ndërsa “Prania Besnike” nuk duhet të përdoret për marrjen e votave, rekrutimin e militantëve apo si sportel për zgjidhjen e halleve të qytetarëve. *Ai tha se do të kërkojë ndryshime ligjore që ndërhyrjet me telefon nga deputetët për punësime në administratë do të konsiderohen vepër penale

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Duke nisur nga kjo e premte, 4 shtator, në orën 17:00, qeveria dhe deputetët e Partisë Socialiste do të nisin takimet me qytetarët në kuadër të nismës së quajtur “Prania Besnike”. *Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të PS-së dhe ministrat, ku prezantoi edhe rregullat që do të shoqërojnë këtë proces. *Rama tha se takimet do të zhvillohen çdo të premte, në të gjithë territorin e vendit dhe nuk do të kenë karakter propagandistik. Sipas tij, qëllimi kryesor do të jetë dëgjimi i qytetarëve dhe evidentimi i problemeve të tyre, të cilat më pas duhet të ndiqen përmes rrugëve institucionale. *Rama tha se deputetët nuk duhet të telefonojnë drejtorët për t’u kërkuar favore, ndërsa “Prania Besnike” nuk duhet të përdoret për marrjen e votave, rekrutimin e militantëve apo si sportel për zgjidhjen e halleve të qytetarëve. *Ai tha se do të kërkojë ndryshime ligjore që ndërhyrjet me telefon nga deputetët për punësime në administratë do të konsiderohen vepër penale

5 Postime
3 DITE ME PARE

Magjistratët rritën pagat e tyre, Rama sulmon KLGJ dhe KLP: Janë fytyra e dështimit të Reformës në Drejtësi

Sezoni i ri politik/ Rama: “Prania Besnike” nis të premten!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë lidhur me pagat e magjistratëve, të cilat janë ngrirë në Thesarin e Shtetit.

Gjatë mbledhjes së zgjeruar me grupin parlamentar dhe qeverinë, Rama ka drejtuar kritika të forta ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke i cilësuar si “fytyra e dështimit të Reformës në Drejtësi”.

Rama u shpreh se, nëse KLGJ dhe KLP e konsiderojnë të pamjaftueshëm nivelin e pagave të tyre, atëherë situata është edhe më problematike për punonjësit e administratës publike, të cilët sipas tij marrin paga disa herë më të ulëta.

“Kur është e pamjaftueshme për KLP dhe KLGJ paga, përfytyroni për të tjerët. KLP dhe KLGJ, dy struktura që janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi, nëse SPAK dhe GJKKO apo disa të tjera janë fytyra e suksesit, KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit”, deklaroi Rama.
Kryeministri kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, qeveriset sistemi i drejtësisë, duke pretenduar se ndikimet e vjetra vijojnë të jenë të pranishme.

“Qeverisin gjyqësorin më pak se ç’qeveriset gjyqësori nga zakonet e vjetra dhe nga njerëzit mbrapa perdeve”, tha ai.

Rama e lidhi debatin për pagat edhe me performancën e administratës publike, duke theksuar se krahas nivelit të pagave, një tjetër problem është mungesa e ndëshkimit për performancën negative.

Në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi njëkohësisht një pjesë të administratës publike, duke sjellë si shembull rreth 1000 punonjës që, sipas tij, kanë përfaqësuar me sukses Shqipërinë në Bruksel gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

“Jo 10, por 1000 punonjës të këtij shteti kanë shkëlqyer në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, në procesin më sfidues për çdo shtet që do të futet në BE, që është diagnostikimi i problematikave që ka shteti”, u shpreh Rama.

3 DITE ME PARE

Rama: Ndërhyrjet me telefon nga deputetët për punësimet në administratë, do konsiderohen vepër penale

Sezoni i ri politik/ Rama: “Prania Besnike” nis të premten!

Kryeministri Edi Rama ka vendosur kufij të qartë për mënyrën se si duhet të funksionojë nisma “Prania Besnike”, duke kërkuar që ajo të mos kthehet në një mekanizëm politik për ndërhyrje në institucionet shtetërore.

Në fjalën e tij, Rama tha se deputetët nuk duhet të telefonojnë drejtorët për t’u kërkuar favore, ndërsa “Prania Besnike” nuk duhet të përdoret për marrjen e votave, rekrutimin e militantëve apo si sportel për zgjidhjen e halleve të qytetarëve.

Ai tha se do të kërkojë ndryshime ligjore që ndërhyrjet me telefon nga deputetët për punësime në administratë do të konsiderohen vepër penale.

"Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: “Fute këtë”, “shife atë”, të konsiderohet vepër penale.

Një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerët që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrethit të tarafit të tij apo shokë të fëmijëve. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë. Grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike ka një të dhënë që duhet t’ju mbetet të gjithëve sot", tha Rama. 

Sipas kryeministrit, deputetët duhet të ndjekin problemet e qytetarëve përmes rrugës institucionale, duke u siguruar që çështjet të trajtohen nga institucionet përgjegjëse, pa krijuar kanale paralele.

Rama theksoi se kjo është një “vijë e panegociueshme” për suksesin e nismës dhe për funksionimin e “Pasqyrës”, duke nënvizuar ndarjen mes partisë dhe shtetit.

“Partia nuk bëhet shtetin. Nuk është sportel punësimi. Militanti nuk është rruga e qytetarit për të marrë të drejtën që jep ligji”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se qytetarët nuk duhet të kenë nevojë për ndërmjetësim politik për të përfituar të drejtat që u garanton ligji.

“Sistemi do të përgjigjet vetë. Politika duhet të jetë antenë për shtetin që dëgjon dhe jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon”, u shpreh Rama.

Ai tha gjithashtu se në “Praninë Besnike” nuk duhet të shkohet për të promovuar vetëm shifrat e rritjes ekonomike, por për të evidentuar problemet dhe realitetet që këto shifra nuk pasqyrojnë.

Rama e lidhi këtë qasje me synimin që “Prania Besnike” dhe “Pasqyra” të mos përdoren thjesht si mjete politike, por të shërbejnë për të krijuar një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe shtetit.

3 DITE ME PARE

Rama: “Pasqyra Albania” do t’i japë qytetarit të drejtën të kontrollojë shtetin: Të shohë me dokumente ku shkojnë taksat

Sezoni i ri politik/ Rama: “Prania Besnike” nis të premten!

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për platformën e re “Pasqyra Albania”, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që do të ndryshojë marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit.

Në mbledhjen me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, Rama tha se përmes kësaj platforme qytetari do të ketë mundësi të kontrollojë punët publike dhe të shohë se çfarë po bëhet me taksat e tij.

“PasqyrAlbania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin”, deklaroi Rama, duke theksuar se platforma nuk do të jetë thjesht një hapësirë ku publikohet ajo që thotë qeveria, por një sistem ku qytetari mund të gjejë dokumentet dhe faktet që lidhen me një çështje të caktuar.

Sipas kryeministrit, qytetari do të mund të shohë se çfarë po bën qeveria në emër të tij, kush është përgjegjës për një proces, në çfarë faze ndodhet ai dhe mbi cilat dokumente mund të verifikohet informacioni.

Rama u ndal edhe te dezinformimi, duke thënë se qytetari sot shpesh përballet me informacione të ndryshme për projektet publike dhe nuk ka mundësi të kontrollojë vetë se cili është versioni i saktë.

“Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh”, tha ai.

Kryeministri përmendi edhe rastet kur një portal publikon pretendime për një investim publik, duke argumentuar se përgjigjja ndaj këtyre pretendimeve nuk duhet të jetë vetëm një komunikatë e qeverisë.

Sipas Ramës, në “Pasqyrën Albania” qytetari do të mund të gjejë “bazën faktike, dokumentare, shifrën, provën, procesverbalin, mendimin e ekspertit, arsyet e vonesës dhe të gjithë personat përgjegjës”.

Ai tha se kjo do ta ndryshojë pozicionin e qytetarit, duke e kthyer atë nga një “viktimë potenciale e informacionit” në një “mbikëqyrës të shtetit”.

Rama deklaroi gjithashtu se do të ishte e dobishme që në këtë platformë të përfshiheshin edhe pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, megjithëse vendimmarrja për këtë, sipas tij, u takon vetë këtyre dy pushteteve.

Në një tjetër deklaratë gjatë ditës, Rama bëri me dije se brenda disa javësh do të prezantohet edhe seksioni “Flamingo Mirror”, ku sipas tij do të publikohen dokumentet që lidhen me investimet në Sazan dhe Zvërnec.

3 DITE ME PARE

Rama: PasqyrAlbania, “kontratë kushtetuese”, do të kufizojë efektin e dezinformimit

Sezoni i ri politik/ Rama: “Prania Besnike” nis të premten!

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar platformën PasqyrAlbania si një “kontratë kushtetuese” mes qytetarit dhe shtetit, duke deklaruar se ajo do t’u japë qytetarëve mundësinë të kontrollojnë drejtpërdrejt punët publike.

Në mbledhjen me ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se platforma do të përmbajë dokumente, të dhëna, procesverbale dhe materiale të tjera që lidhen me projektet dhe investimet publike.

Sipas tij, qytetari nuk duhet të jetë i detyruar të mbështetet vetëm te deklaratat e qeverisë apo raportimet mediatike, por duhet të ketë mundësi të verifikojë vetë se çfarë po ndodh me fondet publike.

“PasqyrAlbania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin”, deklaroi Rama, duke shtuar se përmes saj qytetari do të mund të mësojë se çfarë po bën qeveria në emër të tij, kush është përgjegjës për një çështje të caktuar dhe në çfarë faze ndodhet një projekt.

Kryeministri tha se platforma synon gjithashtu të kufizojë efektin e dezinformimit. Ai solli si shembull rastet kur publikohen pretendime për probleme me një rrugë apo investim, duke theksuar se qytetari duhet të ketë akses te dokumentet dhe provat për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht.

“Kjo e ndryshon plotësisht pozitën e qytetarit nga një viktimë potenciale e informacionit te një mbikëqyrës i shtetit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, në platformë do të jenë të aksesueshme edhe shifrat, provat, mendimet e ekspertëve, arsyet e vonesave dhe të dhënat për personat përgjegjës, duke i vendosur në transparencë proceset që lidhen me punët publike.

3 DITE ME PARE

Investimet në Sazan dhe Zvërnec, Rama: “Flamingo Mirror” do të publikojë të gjitha dokumentet

Sezoni i ri politik/ Rama: “Prania Besnike” nis të premten!

Brenda disa javësh, platforma “PasqyrAlbania” do të prezantojë një seksion të veçantë, të quajtur “Flamingo Mirror”, ku do të bëhen publike të gjitha të dhënat dhe dokumentet që lidhen me investimet në Sazan, Nartë dhe Pishporo.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se në këtë seksion do të pasqyrohen në mënyrë të detajuar dokumentet përkatëse, procesverbalet, statusi i negociatave dhe referencat ligjore për çështjet e ngritura.

“Do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusin e negociatave, referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj do të pasurohet hap pas hapi”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te mënyra se si do të funksionojë “PasqyrAlbania”, duke theksuar se platforma nuk do të mbledhë apo përdorë të dhënat e qytetarëve pa miratimin e tyre.

Sipas Ramës, qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë të marrin njoftime në kohë reale për çështjet që i interesojnë, duke shmangur vonesat dhe ndërmjetësimin përmes mediave.

“PasqyrAlbania duhet të informojë në kohë reale çdo qytetar kur ka rrezik zjarri”, u shpreh ai.

Rama tha se një prej elementëve kryesorë të platformës do të jetë “kartela publike”, e cila do të përmbajë informacion konkret mbi veprimtarinë e institucioneve.

“Kartela publike plotëson disa kritere shumë të thjeshtë: cila është puna që po bëhet, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek, ku janë dokumentet, statusi, cila është prova?”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se “PasqyrAlbania” nuk do të ketë përmbajtje propagandistike, por do të fokusohet te dokumentimi i veprimtarisë së qeverisë, Parlamentit dhe pushtetit gjyqësor.

Sipas Ramës, “Flamingo Mirror” do të jetë një prej komponentëve të parë të platformës dhe do të zgjerohet gradualisht me të dhëna dhe dokumente të reja.

Poll