
Viktor Bardhi, 65 vjeç, u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ndërsa ndodhej në automjetin e tij.
Një banor i zonës ka rrëfyer se e kishte takuar viktimën pak para ngjarjes. Sipas tij, Bardhi punonte në Ujësjellës dhe ishte nisur për të hapur ujin.
“Jam përshëndetur kalimthi sot. Ai po shkonte të hapte ujin, punonte me ujësjellësin. Ishte duke shkuar atje, por e vranë. Ai ka qenë burrë, nuk është ruajtur kurrë”, ka treguar banori.
Paraprakisht dyshohet se 65-vjeçarit i është zënë pritë gjatë rrugës. Autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, ndërsa ai ndodhej brenda makinës.
Automjeti është gjetur pranë një kanali dhe në xhamin e përparmë dallohen qartë shenjat e shumta të plumbave, duke treguar se ndaj viktimës është qëlluar me breshëri.
Sipas të dhënave paraprake, Bardhi ka qenë i përfshirë më herët në një konflikt hasmërie. Megjithatë, banori shprehet se ai nuk ruhej dhe vazhdonte të lëvizte i qetë në zonë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të vrasjes.


