Aplikacion
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Levan–Tepelenë, pranë “Rrethrrotullimit të Levanit”.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Audi” dhe një “Benz”, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën drejtuesi i automjetit “Audi”, 55-vjeçari Dashmir Beca.
Trupi i viktimës është transportuar drejt morgut, ndërsa në spital ndodhen edhe 3 pasagjerë që udhëtonin me 55-vjeçarin, si edhe drejtuesi i mjetit tjetër, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara, e cila dyshohet se e ka bërë të pamundur manovrimin e mjeteve dhe shmangien e përplasjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e plota për këtë aksident me pasojë vdekjen.