Nufi publikon operacionin në Fier, 55 efektivë dhe dy helikopterë në betejë me flakët
TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka ndarë pamje nga operacioni për shuarjen e zjarrit të madh që ka përfshirë Fierin, duke bërë të ditur se në terren janë angazhuar 55 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Përmes një postimi, Nufi theksoi se forcat po vijojnë ndërhyrjen në mbështetje të ekipeve zjarrfikëse për izolimin e vatrave aktive, ndërsa operacionet po zhvillohen edhe në zona të tjera të vendit ku janë raportuar zjarre.
Postimi i plotë:
Që prej orëve të para të ditës, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë angazhimin e pandërprerë në terren, në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.
-Në qarkun Fier, në fshatin Drizë-Radostinë, bashkia Fier, janë angazhuar 55 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa 10 familje janë evakuuar.
-Në Njësinë Administrative Ungrej, bashkia Lezhë, janë angazhuar 80 efektivë të të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.
-Në fshatin Qinam, Zall-Herr, janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Zjarri konsiderohet i fikur.
-Në Dajt, vijon angazhimi me 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter të Forcës Ajrore.
-Në Mallunxë, Mat, janë angazhuar 30 efektivë dhe 1 automjet zjarrfikës i FA. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në mbështetje të komuniteteve, aty ku nevojitet./ZËRI
Himara në betejë me flakët, një banesë shkrumbohet, rrezikohen të tjerat
HIMARË- Situata nga zjarri në Himarë mbetet alarmante, ndërsa flakët vijojnë të avancojnë me shpejtësi, duke shkaktuar dëme në zonën e banuar.
View this post on Instagram
Deri tani, një banesë është shkrumbuar, ndërsa disa shtëpi të tjera ndodhen nën rrezikun e përhapjes së zjarrit. Ekipet zjarrfikëse vijojnë operacionin në terren, duke u përqendruar në izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave që ndodhen pranë flakëve.
Era e fortë dhe terreni i thyer po e vështirësojnë ndërhyrjen, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në zonë./ZËRI
Flakët përfshijnë një hotel në Velipojë, pushuesit evakuohen
VELIPOJË- Mbrëmjen e kësaj të premteje është përfshirë nga flaket në një hotel në Velipojë, i cili shkaktoi alarm pasi flakët përfshinë katin e pestë të godinës, duke detyruar pushuesit të evakuoheshin. Sipas informacioneve paraprake, të gjithë personat që ndodheshin në hotel kanë dalë në kohë jashtë ambienteve dhe nuk raportohet për të lënduar.
Në vendngjarje ndërhyri menjëherë automjeti zjarrfikës i dislokuar në Velipojë për sezonin turistik, ndërsa në mbështetje u dërguan edhe dy mjete të tjera nga Shkodra.
Falë ndërhyrjes së ekipeve, vatra e zjarrit u vu nën kontroll dhe u shmang perhapja e flakëve në pjesën tjetër të hotelit. Shkaqet e ngjarjes mbeten ende nën hetim./ZËRI
Zjarr në Himarë/ Flakët favorizohen nga era, rrezikohen banesat

HIMARË- Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer mbrëmjen e së premtes në Himarë, ku flakët po përhapen me shpejtësi në kodrat pranë lagjes "1 Maji", duke krijuar rrezik për banesat dhe sipërfaqet me pemëtari.
View this post on Instagram
Në terren po punojnë ekipet zjarrfikëse së bashku me banorët e zonës, të cilët janë angazhuar në përpjekjet për të frenuar avancimin e flakëve. Për shkak të erës së fortë, e cila po e vështirëson ndërhyrjen, janë mobilizuar edhe forca zjarrfikëse nga Vlora, Saranda, Delvina dhe Finiqi për të mbështetur operacionin. Aktualisht, përparësi mbetet izolimi i vatrës së zjarrit dhe mbrojtja e banesave e pronave të rrezikuara, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës./ZËRI
Gjirokastër/ Flakët afrohen pranë Picarit, zjarrfikësit shtojnë forcat për të mbrojtur banesat
Gjirokastër- Një vatër zjarri është aktivizuar në hyrje të fshatit Picar, në Gjirokastër, duke ngritur shqetësime për përhapjen e flakëve pranë zonës së banuar. Menjëherë pas sinjalizimit, në terren janë angazhuar ekipet e shërbimit zjarrfikës, të cilat po punojnë për izolimin e zjarrit në një zonë me shkurre të dendura dhe sipërfaqe pyjore e bën ndërhyrjen më të vështirë.Për shkak të afërsisë së vatrës me fshatin, autoritetet kanë shtuar masat në terren, ndërsa një grup i tretë zjarrfikës është dërguar në ndihmë për të përshpejtuar operacionin dhe për të shmangur përhapjen e flakëve drejt banesave. Situata mbetet nën monitorim, ndërsa ndërhyrja vijon për vënien sa më shpejt të zjarrit nën kontroll./ZËRI
Flakët nuk ndalen në Radostinë, flet banori i zonës: Ishte një helikopter, u dogjën lopët edhe banesat (VIDEO)
FIER- Situata nga zjarri në Levan të Fierit mbetet kritike, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen të favorizuara nga era, duke shkaktuar dëme në banesa, bagëti dhe prona të tjera të banorëve.
Edhe pse ndërhyrja e ekipeve në terren ka arritur të frenojë zjarrin në disa sektorë, banorët thonë se rreziku nuk ka kaluar ende. Sipas tyre, ndërhyrja nga ajri është ndërprerë pasi helikopteri nuk mundi të vijonte operacionin. "E ka kaluar atë që ra në orën 10 në mëngjes. I mbaroi benzina helikopterit," u shpreh një banor.
Në terren, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e burimeve për shuarjen e flakëve. "Me kaq zjarrfikëse sa janë këtu, mbaroi uji, uji s'ka," tha ai, duke theksuar vështirësitë me të cilat po përballen ekipet.
Dëshmitë nga zona flasin për pasoja të rënda materiale, ndërsa disa familje janë detyruar të largohen nga banesat për shkak të rrezikut. "Çfarë ullinjsh, u dogjën lopët, u dogj shtëpia, u dogjën kafshët," tregoi një prej banorëve, duke përshkruar dëmet e shkaktuara nga flakët.
Ndërkohë, zjarri po lëviz drejt zonave të tjera, duke shtuar frikën se mund të përfshijë edhe lagje të tjera. "Rrezikohen të tjera tani, po shkon drejt lagjes së romëve," tha një tjetër banor.
Banorët kërkojnë shtimin e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse nga qarqe të tjera, pasi vlerësojnë se kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për përmasat e emergjencës. "Duhet të vijnë nga e gjithë Republika zjarrfikësit, se po s'erdhën është problem. Gjithë kjo natë, era siç e shikon favorizon shumë," u shpreh një banor, duke shtuar se një situatë e tillë nuk ishte përjetuar më parë në zonë.
Autoritetet dhe shërbimet zjarrfikëse vijojnë operacionin në terren për të izoluar vatrat aktive dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit./ZËRI
Flakët shkrumbojnë ullishtet në Fier, banorët evakuohen mes frikës për banesat
FIER- Situata nga zjarret në Peshtan të Vogël të Fierit vijon të mbetet kritike, ndërsa banorët përshkruajnë orë të vështira mes evakuimeve dhe dëmeve të mëdha në ullishtet e tyre. Sipas banorëve, flakët po afrohen pranë banesave, ndërsa qindra rrënjë ullinj, shumë prej tyre në prodhim, rrezikojnë të shkatërrohen. Disa prej familjeve janë larguar nga zona për shkak të rrezikut të shtuar.
Një banor tregoi se kishte nxjerrë familjen në një vend të sigurt, ndërsa shprehu shqetësimin për pasurinë e tij. "I largova prindërit nga fshati. Rrezikohen shtëpitë dhe rreth 700 rrënjë ullinj. Nuk kemi marrë asnjëherë dëmshpërblim dhe ndihma ka munguar," tha ai.
Gjithashtu edhe një banor tjetër foli për humbjet që po pëson komuniteti, duke theksuar se një pjesë e madhe e ullinjve të tij janë djegur dhe se frika kryesore mbetet përhapja e flakëve drejt banesave. "Mbi 250 ullinj janë në rrezik, ndërsa po të kalojë zjarri më tej, situata do të bëhet edhe më e rëndë," u shpreh ai.
Ndërkohë, autoritetet dhe ekipet zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara./ZËRI
Zjarri në Levan, dërgon tre persona në spital, ekipet mjekësore në gatishmëri
FIER- Tre persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Memorial Fier pasi shfaqën shenja asfiksie si pasojë e zjarrit që vijon të përfshijë zonën e Levanit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në terren janë angazhuar nëntë mjekë dhe infermierë nga Qendra Shëndetësore Levan, ndërsa dy autoambulanca të Spitalit Rajonal Fier po qëndrojnë në gatishmëri për t'iu përgjigjur çdo emergjence të mundshme.
Shërbimet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa autoritetet mbeten të angazhuara për përballimin e pasojave të zjarrit në zonë.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:
Gatishmëri e plotë e strukturave shëndetësore në zonën e Levanit
Në vijim të situatës së krijuar nga zjarret në zonën e Levanit, ekipet shëndetësore janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje apo emergjence shëndetësore.
9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan dhe dy autoambulanca me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal Fier janë angazhuar në terren. Njëra autoambulancë është e stacionuar në Levan, ndërsa tjetra është në gatishmëri për ndërhyrje sipas nevojës.
Deri në këto momente, 3 persona janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e nevojshme shëndetësore.
Për çdo rast të mundshëm të urgjencës kardiake, është koordinuar trajtimi pranë Spitalit Memorial Fier, për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe të specializuar.
Strukturat shëndetësore vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës dhe mbeten në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje të qytetarëve./ZËRI
Zjarri 'përpin' Fierin, banorët me çanta në krahë dhe mes lotësh, nis evakuimi (VIDEO)
FIER- Situata me zjarret në fshatrat e Fierit vijon të jetë alarmante, ndërsa flakët kanë përfshirë zona të banuara prej disa orësh tashmë, dhe kanë shkaktuar panik te banorët.
Në kushtet kur zjarri ka dalë jashtë kontrollit, banorët janë detyruar të evakuohen. Disa prej tyre, të përlotur, kanë marrë me vete sendet personale dhe po largohen nga banesat, në përpjekje për t’i shpëtuar rrezikut. Ndërsa të tjerë nuk pranojnë të largohen dhe të lënë pas shtëpitë e tyre, pavarësisht rrezikut që paraqesin flakët.
Ndërkohë, vijon përpjekja për të vënë nën kontroll zjarrin, teksa problem për zjarrfikëset është edhe terreni tepër i thyer, duke e pasur të vështirë ndërhyrjen./ZËRI
Tymi nga zjarret në Fier mbulon Vlorën, errësohet e qielli (VIDEO)
VLORË- Shtëllunga të dendura tymi nga zjarret e mëdha që vijojnë të djegin disa zona të Fierit kanë arritur deri në Vlorë, duke errësuar një pjesë të qiellit në hyrje të qytetit.
Përhapja e tymit është bërë e dukshme gjatë pasdites, ndërsa flakët në fshatrat e bashkisë fqinje vijojnë të mbeten aktive dhe të krijojnë probleme në disa zona të prekura.
Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse vazhdojnë operacionet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërsa në disa raste është bërë edhe evakuimi i banorëve për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve.
Situata mbetet nën monitorim, ndërsa autoritetet vijojnë ndërhyrjen për të kufizuar pasojat e zjarreve në zonat e prekura./ZËRI
Flakët përfshijnë Peshtanin e Vogël, nis evakuimi i banorëve
FIER- Fakët gjithashtu janë përhapur edhe në drejtim të fshatit Peshtan të Vogël të Fierit të cilat po avancojnë drejt zonës së banuar dhe po krijojnë rrezik të lartë për banesat. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit, autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të frenuar flakët.
Përveç rrezikut për shtëpitë, zjarri po shkakton dëme të konsiderueshme edhe në bujqësi, duke përfshirë sipërfaqe me ullinj në kulmin e sezonit të prodhimit. Situata mbetet kritike, ndërsa ndërhyrja në terren vazhdon për të shmangur pasoja edhe më të mëdha./ZËRI
Zjarri në Nikël/ Flakët i afrohen banesave, rrezikon edhe depua e ushtrisë
NIKËL- Situata nga zjarret në Njësinë Administrative Nikël vijon të mbetet kritike, pasi flakët po përhapen me shpejtësi dhe po afrohen pranë zonave të banuara, duke vënë në rrezik edhe depot e ushtrisë dhe ish-magazinat e zonës.
Për përballimin e emergjencës janë angazhuar ekipe zjarrfikëse në terren, ndërsa një helikopter po ndërhyn nga ajri për të frenuar avancimin e flakëve.
Era e fortë po e vështirëson operacionin e shuarjes, duke favorizuar përhapjen e zjarrit në disa drejtime. Autoritetet vijojnë ndërhyrjen me synimin për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur banesat dhe objektet që ndodhen pranë vatrës./ZËRI
Levani në flakë, tre banesa përfshihen nga zjarri, banorët evakuohen
FIER- Flakët kanë përfshirë tre banesa ne Levan dhe kanë detyruar banorët të largohen nga zona për arsye sigurie. Ekipet zjarrfikëse vijojnë operacionin në terren për të izoluar vatrën aktive dhe për të penguar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt banesave të tjera.
Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa ndërhyrja vazhdon në një zonë ku era po e vështirëson shuarjen e plotë të zjarrit./ZËRI
Zjarr në Levan të Fierit, flakët djegin stallën dhe makineritë bujqësore
FIER-Dëme të mëdha ka shaktuar zjarri në Levan të Fierit, pasi flakët kanë përfshirë një stallë bagëtish dhe kanë shkrumbuar pajisje bujqësore që ndodheshin brenda saj. Sipas informacioneve nga vendngjarja, zjarri ka djegur edhe sasi të konsiderueshme ushqimi të rezervuar për bagëtitë, duke rritur dëmet materiale të shkaktuara nga flakët.
Në terren ndërhynë menjëherë ekipet e shërbimit zjarrfikës, të cilat punuan për izolimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të zjarrit në zonën përreth. Falë ndërhyrjes së tyre, u bë e mundur shpëtimi i më shumë se 20 krerëve të lopëve, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda për fermën.
Autoritetet vijojnë punën për neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara./ZËRI
Zjarr i madh në Levan të Fierit, digjet një banesë dhe evakuohen familjet (VIDEO)
FIER- Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Radostinës në bashkinë e Fierit, ndërsa flakët janë përhapur në drejtim të Levanit, duke rritur rrezikun për banesat dhe bizneset pranë vatrës së zjarrit. Gjatë avancimit të flakëve është djegur një ndërtesë e pabanuar, ndërsa disa banesa të tjera kanë qenë të rrezikuara, për arsye sigurie jan evakuar familjet.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e tij në disa drejtime. Flakët iu afruan edhe dy lokaleve pranë Qafës së Koshovicës, duke e bërë ndërhyrjen edhe më të vështirë. Për shkak të situatës së krijuar, është ndërprerë përkohësisht edhe qarkullimi në linjën hekurudhore Fier–Vlorë, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar zonën përreth.
Shërbimet zjarrfikëse dhe autoritetet vijojnë operacionin në terren për izolimin e vatrave aktive dhe vënien e plotë të zjarrit nën kontroll./ZËRI
Zjarr në Gostimë të Cërrikut, ndërhyrja e shpejtë shmang rrezikun për banesat (VIDEO)
CËRRIK- Pasditen e kesaj te premteje në lagjen Hoxhalinj të fshatit Shtepanjë në Njësinë Administrative Gostimë të bashkisë Cërrik, eshtë regjistrua një vatër zjarri duke ngritur shqetësime për përhapjen e flakëve pranë zonës së banuar. Pas sinjalizimit të bërë, shërbimi zjarrfikës reagoi menjëherë dhe nisi operacionin për izolimin e vatrës së zjarrit.
Në terren u angazhuan dy ekipe me dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë, të cilët punuan për të frenuar avancimin e flakëve dhe për të mbrojtur banesat përreth. Falë ndërhyrjes në kohë, zjarri u vu nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e tij drejtë banesave dhe sipërfaqeve të tjera me bimësi. Puna e ekipeve u përqendrua në shuarjen e plotë të vatrës dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizim të flakëve./ZËRI
Zjarr në Bilaj të Krujës, flakët afrohen pranë banesave
KRUJË- Një zjarr është përhapur në fshatin Bilaj të Krujës, duke krijuar rrezik për banesat që ndodhen pranë vatrës së flakëve. Sipas informacioneve nga terreni zjarri ka rënë në një zonë me shkurre, ferra dhe bimësi të dendur, ndërsa era po ndikon në përhapjen e tij me shpejtësi drejt zonës së banuar.
View this post on Instagram
Në momentet e para të ngjarjes nuk janë konstatuar në vendngjarje forcat zjarrfikëse apo ekipet e emergjencave. Ndërkohë, oficeri i Policisë së zonës ka ndërhyrë menjëherë, duke u përpjekur me mjete rrethanore të frenojë avancimin e flakëve deri në mbërritjen e ndihmës.
Banorët e zonës vijojnë të ndjekin me shqetësim zhvillimin e situatës, ndërsa pritet ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse për neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit./ZËRI
Tym dhe flakë në kodrat e Radostinës, zjarri rrezikon lokalet në Levan, pronarët evakuojnë stafin: Duhet ndërhyrje nga ajri
FIER-Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e Radostinës. Flakët po përhapen me shpejtësi drejt zonës së Liqenit të Levanit, duke rrezikuar bizneset dhe banesat. Zjarri ka prekur kurorën mbi lokale dhe ndodhet rreth 200 metra larg tyre.
Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet. Ata kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet.
Zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve që favorizohen nga era e fortë duke vështirësuar ndërhyrjen. Një tjetër problem për ekipet zjarrfikëse mbetet terreni i thyer.
Zjarri në Lezhë jashtë kontrollit, kërkohet ndërhyrje nga ajri! 10 shtëpi të djegura, 200 hektarë tokë e shkrumbuar
LEZHË-Vijon 'lufta' me flakët për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, në Njësinë Administrative Ungrej, Bashkia Lezhë. Situata mbetet problematike ku një vatër zjarri me intensitet të lartë është shtrirë në tri pika.
Në fshatrat Kalivaç e Zimaj, raportohet paraprakisht të jenë djegur 200 hektarë. Shkalla e plotë e dëmeve është ende në vlerësim, ndërsa sipas verifikimeve janë konstatuar 10 shtëpi të djegura. Forcat vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri.