Lajme

Abdixhiku: Bekim Sejdiu, zgjidhje e përgjegjshme dhe dinjitoze për Presidencën

08/31/2026 14:40
nga:G B

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dakordimit me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidatin e përbashkët për president të Kosovës, Bekim Sejdiun.

Abdixhiku e ka cilësuar këtë marrëveshje si një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze”, duke thënë se interesi i shtetit është vendosur mbi atë partiak.

“Vendi ynë ka kaluar muaj të tërë në pasiguri politike dhe institucionale. Institucionet kanë mbetur të bllokuara, kohë e çmuar është humbur gjersa qytetarët, me të drejtë, kanë pritur nga ne që ta vendosim interesin e shtetit mbi llogaritë partiake”.

“Pikërisht këtë kemi bërë. Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces;, për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka thënë se pret që Sejdiu të jetë president i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, duke mbrojtur rendin kushtetues, unitetin e vendit dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Prej tij presim të jetë President i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme. Presim ta mbrojë rendin kushtetues, ta ruajë unitetin e vendit dhe të veprojë me pavarësi, urtësi dhe përgjegjësi në çdo rrethanë”.

“Presim që Kosovën ta përfaqësojë me dinjitet para aleatëve tanë; të mbrojë pa asnjë lëkundje orientimin euroatlantik të shtetit; të jetë zë i arsyes në kohë përplasjesh dhe faktor bashkues kur dallimet politike e shoqërore bëhen të mëdha. LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak. Këtë e kemi besuar gjithmonë. Këtë po e dëshmojmë edhe sot”.

“Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me President dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë – rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgje në kthim për veten. Sepse e don shtetin më shumë se sa veten. Zoti e bekoftë Kosovën”, ka shkruar kreu i LDK-së.

 

Kryesia e LDK-së mblidhet nesër, pas dakordimit me VV-në për emrin e presidentit