Lajme

LVV e çon Hysen Durmishin në KQZ, në zgjedhjet e fundit nuk garoi “pas konsultimit” me Kurtin

08/31/2026 11:53
nga:G B

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi i cili për një kohë ushtroi edhe detyrën e ministrit të Infrastrukturës, do të jetë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga kjo parti.

Anëtarët e rinj të KQZ-së shkuan sot në Presidencë për ta bërë betimin, që shënon fillimin e mandatit të tyre.

Aty u pa Durmishi, i cili së bashku me Violeta Salihun do ta përfaqësojnë LVV-në në KQZ.

Durmishi nuk ishte përfshirë në listën e kandidatëve të LVV-së për deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 qershorit.

Kjo, siç pati thënë ai vetë, ishte bërë me kërkesë të tij.

Durmishi kishte thënë se vendimin për të mos u përfshirë në listën e kandidatëve të partisë për deputetë e kishte marrë “pas konsultimit me Kryeministrin Albin Kurti”.