Lajme

Arrestohet një grua në Prishtinë, i ndoqi fëmijët me sëpatë dhe dëmtoi parkun

08/31/2026 10:05
nga:G B

Një ngjarje shqetësuese është raportuar të dielën pasdite në Prishtinë, ku një grua dyshohet se ka ndjekur fëmijët me sëpatë, ndërsa ka dëmtuar edhe parkun ku ata po qëndronin.

Rasti ka ndodhur më 30 gusht, rreth orës 18:30, në rrugën “Vushtrria” në kryeqytet.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, Policia fillimisht ka pranuar një raportim se një grua po ndiqte fëmijët me një sëpatë dhe, njëkohësisht, po dëmtonte inventarin e parkut të fëmijëve në atë zonë.

Njësia policore është nisur menjëherë drejt lokacionit, ku ka hasur dhe identifikuar personin e dyshuar.

E dyshuara, 45-vjeçare, është arrestuar nga zyrtarët policorë.

Gjatë intervenimit, Policia ka sekuestruar edhe sëpatën që dyshohet se është përdorur në incident.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa pas koordinimit me Policinë, rasti është cilësuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë”.

Me urdhër të Prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Nga informacionet fillestare nuk raportohet për fëmijë të lënduar, ndërsa nuk janë bërë të ditura as rrethanat që dyshohet se kanë çuar deri te incidenti.