Corriere della Sera
Nedzad Avdiç është 48 vjeç dhe një nga të paktët të mbijetuar të gjenocidit të Srebrenicës. Ai mbeti gjallë sepse breshëria e plumbave të togës serbe përballë tij nuk ishte e saktë. U plagos në këmbë dhe në bark, por arriti të binte mes trupave të njerëzve të vrarë dhe të shtirej si i vdekur, derisa ushtarët e Republikës Serbe të Bosnjës u larguan. Ishte vetëm 17 vjeç dhe që prej asaj kohe është kthyer në një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të gjenocidit.
Ç’mendoni për qëndrimin e Serbisë ndaj Ratko Mlladiç dhe vendimin për t’i bërë nderime?
Ratko Mlladiç nuk shkoi në Srebrenicë për të vepruar i vetëm. Ai ishte pjesë e një ndërmarrjeje kriminale të planifikuar dhe të financuar nga Beogradi. Më pas, u fsheh për një kohë të gjatë pikërisht në Serbi, përpara se të arrestohej.
Edhe presidenti aktual serb, e ka promovuar në të kaluarën vendosjen e emrit të Mlladiçit në rrugë dhe hapësira publike. Prandaj nuk më habit asgjë. Turmat që dalin në rrugë janë produkt i një politike të caktuar.
A e mbani mend Mlladiçin në Srebrenicë, kur ishit 17 vjeç, në ditët para gjenocidit?
Jo. Në atë kohë po përpiqesha të fshihesha bashkë me familjen time, sepse serbët kishin nisur prej kohësh, që në vitin 1993, të vrisnin njerëz dhe të digjnin qytete e fshatra ku jetonin boshnjakët.
Edhe shtëpia jonë në Konjeviç Polje pati të njëjtin fat. Kishim frikë dhe ishim mes mijëra boshnjakëve që shkuan në Srebrenicë për të mbijetuar, sepse qyteti ishte vendosur nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.
Pra, nën mbrojtjen e kontingjentit holandez të OKB-së, që sipas shumë vëzhguesve lejoi ndodhjen e masakrës?
Po dhe nuk do ta kisha imagjinuar kurrë atë që ndodhi më pas. Kur u bë e qartë se serbët do të merrnin edhe Srebrenicën, unë dhe familja ime u larguam. Nëna dhe tri motrat e mia më të vogla shkuan drejt bazës së OKB-së në Potoçari.
Ndërsa babai im, xhaxhai dhe unë iu bashkuam një kolone burrash dhe djemsh që përpiqeshin të arrinin territorin e kontrolluar nga boshnjakët, rreth 100 kilometra larg, në drejtim të Tuzlës.
Dhe pothuajse askush nuk ia doli…
Jo. Pas disa ditësh, gjatë një sulmi serb, humbëm kontaktin me babanë tim. Unë, xhaxhai dhe qindra njerëz të tjerë u kapëm nga serbët. Ata na premtuan se nuk do t’i bënin keq askujt. Por po atë ditë filluan të na ngarkonin në kamionë dhe autobusë, pa na treguar se ku po na çonin. Destinacioni ishin vendet ku ishin planifikuar ekzekutimet. Unë dhe xhaxhai im përfunduam bashkë me të tjerë në një shkollë, në të njëjtën klasë, në fshatin serb Petkovc, rreth 70 kilometra larg Srebrenicës.
Aty e kuptuat se çfarë do të ndodhte?
Po. Na thërrisnin një nga një për të na vrarë. Mua më thirrën përpara xhaxhait. Ishte rreth mesnatës mes 14 dhe 15 korrikut. Më zhveshën deri në bel, isha zbathur dhe me duart e lidhura. Më çuan drejt një dige aty pranë. Ishim një grup njerëzish.
Kur filloi breshëria e plumbave, u godita disa herë, por kuptova se isha ende gjallë. U mbështeta mbi trupat e të vrarëve. Edhe një tjetër pranë meje më bëri të kuptoja se kishte mbijetuar. Isha plagosur në këmbë dhe në bark. Por bashkë me të, dhe falë ndihmës së tij, arritëm më pas të mbërrinim në fshatrat boshnjake dhe më vonë në Tuzla.
Sa të afërm keni humbur?
Nuk më pëlqen të jap një numër. S’dua t’i numëroj si të ishin sende. Kam humbur babanë tim, Aliun, xhaxhain me të cilin isha shumë i lidhur, dy xhaxhallarë të tjerë, fëmijët e tyre dhe shumë të afërm të tjerë, disa më të largët e disa më të afërt.
Disa vite pasi shpëtova, në një varr masiv në Nova Kasaba u gjetën mbetjet e babait tim. U gjetën edhe ato të xhaxhait që ishte kapur bashkë me mua. Në ato vite e kisha kuptuar se cili kishte qenë fati i babait tim, por kur mora vesh me siguri se ishte vrarë, bota ime u shemb. Fillova të qaja.
A jeni ndier ndonjëherë fajtor që mbijetuat?
Është një ndjenjë shumë e ndërlikuar. Ndonjëherë mund të ndodhë, po. Por herë të tjera mendon: nëse nuk do të kisha mbijetuar, kush do të mund të dëshmonte për atë tmerr? Është diçka që të shënjon përgjithmonë jetën. Ke para syve dhjetëra, qindra imazhe dhe njerëz që nuk janë më. Por unë jam këtu, të paktën për të dëshmuar dhe për të kujtuar.
Ju keni dëshmuar edhe në Hagë në procesin ndaj Slobodan Millosheviçit. Çfarë ndjetë përballë tij? Ai mbrohej vetë dhe ju bëri pyetje?
Po. Millosheviçi e mbrojti veten pa avokat dhe më drejtoi personalisht pyetje. Pretendonte se dëshironte vetëm të arrinte të vërtetën, por në realitet përpiqej të më ngatërronte. Megjithatë, kujtimet e mia ishin të qarta dhe dëshmia ime ishte e prerë.
Më pas, një avokat i caktuar nga gjykata, vazhdoi të më merrte në pyetje pa treguar asnjë respekt ndaj meje, aq sa gjyqtarët u detyruan ta ndalonin. Çfarë ndjeva? Millosheviçi kishte shkatërruar jetën time dhe komunitetin tim. Reagimi i vetëm mund të ishte urrejtja. Por diku brenda meje ndjeva edhe një lloj kënaqësie kur e pashë aty dhe mendova se të paktën në atë rast, fjala e tij nuk do të ishte e fundit.
A është vendosur drejtësi e plotë për atë që ndodhi në Srebrenicë?
Deri tani, vetëm pjesërisht. Nuk do të ketë drejtësi për sa kohë vazhdon të ekzistojë ajo që krijuan këta njerëz. Gjenocidi i shpërbleu. Autorëve të tij iu dha gjysma e vendit, me një emër që lidhet drejtpërdrejt me Serbinë. Ndërkohë, ende vazhdojnë kërkimet për eshtrat e rreth 1.500 personave të zhdukur nga Srebrenica, mes tyre edhe disa të afërm të mi.
Ku jetoni sot?
Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë, sepse asgjë nuk mund të jetë më si më parë, por sot jetoj në Srebrenicë. U ktheva në vitin 2007, ndryshe nga shumë të afërm të mi. Kam krijuar familjen time. Kam një bashkëshorte dhe tri vajza.
A duhet ta shqetësojë Evropën qëndrimi i Serbisë, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian?
Me ose pa Mlladiçin, Srebrenica mbetet një problem për Serbinë dhe herët a vonë ajo do të duhet të përballet me të. Por Srebrenica është problem edhe për Evropën, sepse ajo lejoi që gjenocidi të ndodhte nën flamurin e OKB-së dhe sot nuk bën asgjë për ta detyruar Serbinë të sillet në mënyrë civile, të paktën duke pranuar vendimet e gjykatave ndërkombëtare.
Si boshnjak, a ndiheni evropian?
Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Por pyetja duhet bërë në të kundërt: a na pranon Evropa ne? Përvoja e luftës në ish-Jugosllavi na tregon diçka tjetër…
A keni pasur ndonjëherë mundësinë të shkoni në Serbi dhe të tregoni atë që ndodhi në Srebrenicë?
Kam dhënë intervista për disa media të pavarura që e dënojnë gjenocidin. Fatkeqësisht, Serbia është një shoqëri e pushtuar nga sëmundja e nacionalizmit dhe shovinizmit dhe nuk shoh kohë më të mira në horizont, e aq më pak ndonjë katarsis.
Ndoshta gjërat po shkonin në një drejtim më pozitiv deri në vitin 2012, kur Aleksandar Vuçiç erdhi në pushtet. Por që atëherë, situata ka marrë një drejtim gjithnjë e më të keq. Mund të dukem pesimist, por kjo është e vërteta. \tesheshi.com\







