Atentat ndaj shqiptarit në Athinë, dy persona e qëllojnë sapo del nga banesa dhe largohen me motor
Një 55-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur mëngjesin e sotëm pas një atentati në zonën e Patisias, në Athinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:55, në kryqëzimin e rrugëve Vrutou dhe Themu Anninou, kur dy persona që udhëtonin me një motor iu afruan 55-vjeçarit, i cili po dilte nga banesa e tij, dhe hapën zjarr ndaj tij.
I plagosuri është qëlluar në këmbën e djathtë dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit “Georgios Gennimatas”. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Pas sulmit, dy autorët janë larguar me motor në drejtim të paditur. Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja dhe një predhë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu po hetohet e shkuara e 55-vjeçarit dhe mundësia që atentati të ketë lidhje me një përplasje mes personash ose larje hesapesh.
/Versus.al

