Të shtëna pas sherrit në diskotekën “LIT” në Prishtinë – 23-vjeçari qëllohet katër herë, ky është i dyshuari që po kërkohet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Të shtëna pas sherrit në diskotekën “LIT” në Prishtinë – 23-vjeçari qëllohet katër herë, ky është i dyshuari që po kërkohet

    Insajderi
    05 September 2026 - 12:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, 5 shtator, në Prishtinë, ku një 23-vjeçar është plagosur me katër plumba pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur brenda diskotekës “LIT”, merr vesh Sinjali.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është A.B, ndërsa njëri prej personave që dyshohet se është përfshirë në plagosjen e tij është identifikuar si Ylber Tupalla, rreth 24-vjeçar.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:50, në diskotekën “LIT”, në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë.

    Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarjes i ka paraprirë një mosmarrëveshje brenda lokalit, pas së cilës situata ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

    A.B. dyshohet se është qëlluar katër herë – tri herë në këmbën e majtë dhe një herë në pjesën e majtë të abdomenit.

    Pas plagosjes, 23-vjeçari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po merr trajtim mjekësor.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, Hetimet Rajonale dhe Krim-Teknika, të cilat kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë sekuestruar provat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

    Hetuesit kanë sekuestruar edhe DVR-në e diskotekës “LIT”, ndërsa pamjet e kamerave tashmë janë në duart e Policisë.

    Bazuar në pamjet e siguruara dhe deklaratat e dëshmitarëve, hetuesit dyshojnë se në rast kanë marrë pjesë dy persona. Njëri prej tyre është identifikuar si Ylber Tupalla, ndërsa identiteti i personit të dytë ende nuk është zbuluar nga Sinjali.

    Pas të shtënave, dy të dyshuarit dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes me një Volkswagen Golf 7, ngjyrë hiri, duke ikur në drejtim të rrugës “Lidhja e Pejës”.

    Në kuadër të hetimeve janë intervistuar tre dëshmitarë, përfshirë personin që e kishte transportuar të plagosurin në QKUK.

    Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare për Krime të Rënda, e cila ka udhëzuar inicimin e rastit si “Vrasje në tentativë” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

    Policia tashmë është vënë në kërkim të të dyshuarve, ndërsa po punohet edhe për identifikimin e personit të dytë që dyshohet se mori pjesë në sulm.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark