Përgjegjësia direkte e Serbisë si shtet në krimin në Prekaz | PSRK-ja përdori prova të pakontestueshme nga Haga - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Përgjegjësia direkte e Serbisë si shtet në krimin në Prekaz | PSRK-ja përdori prova të pakontestueshme nga Haga

    Insajderi
    04 September 2026 - 21:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Transkripte seancash, vendime të formës së prerë dhe deklarata zyrtare të marra nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë janë integruar në aktakuzën kosovare ndaj 35 ish-zyrtarëve serbë.

    Gazeta Insajderi

    Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për sulmin masiv mbi familjen Jashari në Prekaz të Poshtëm mbështetet fuqishëm në një bazë të konsoliduar provash ndërkombëtare.

    Përveç dëshmive të të mbijetuarve dhe gjetjeve mjekoligjore në terren, një nga shtyllat kryesore strategjike të këtij procesi është integrimi i drejtpërdrejtë i arkivës ligjore të siguruar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TNIJ) me sedër në Hagë.

    ​Sipas dosjes zyrtare të organit të akuzës, ky integrim përfshin një vëllim të madh transkriptesh nga seancat gjyqësore të zhvilluara në Hagë, vendime të mëparshme gjyqësore, si dhe deklarata zyrtare të marra nga hetuesit e OKB-së ndër vite.

    ​Transkriptet e seancave dhe dëshmitë e arkivuara

    ​Përdorimi i transkripteve të Tribunalit të Hagës i ka mundësuar prokurorëve kosovarë të shfrytëzojnë dëshmitë e administruara me standarde të larta ndërkombëtare gjatë proceseve ndaj ish-udhëheqësve ushtarakë e politikë serbë. Këto dokumente përmbajnë pasqyrim të detajuar të veprimeve operative, urdhrave të dhënë nga komanda e lartë në Beograd dhe rolin e njësive speciale (si JSO, SAJ dhe PJP) gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    ​Integrimi i këtyre transkripteve shërben për të lidhur drejtpërdrejt urdhërdhënësit që gjenden në arrati — përfshirë Jovica Stanišić-in, Vlastimir Đorđević-in dhe Sreten Lukić-in — me ngjarjet konkrete të ndodhura në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

    Pesha juridike e vendimeve të formës së prerë

    ​Në aktakuzë janë përfshirë gjithashtu gjetjet faktike dhe vendimet përfundimtare të shpallura nga Tribunali i Hagës për raste të tjera ndërlidhëse të krimeve të luftës në Kosovë.

    Organi i akuzës argumenton se këto vendime vendosin një precedent të pakontestueshëm juridik lidhur me ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe strukturën komanduese të forcave serbe.


    ​Deklaratat zyrtare të siguruara nga arkiva e TNIJ-së përfshijnë edhe dëshmi të ish-zyrtarëve ndërkombëtarë, vëzhguesve të verifikimit dhe ekspertëve ushtarakë që kishin analizuar përdorimin e forcës suproporcionale nga ushtria dhe policia serbe në Drenicë.

    ​Mbështetje kyçe për gjykimin në mungesë

    ​Pasi të 35 të pandehurit kryesorë ndodhen në arrati, procedura penale do të zhvillohet sipas rregullave të gjykimit në mungesë. Në këtë kontekst, prania e provave të verifikuara nga Tribunali i Hagës konsiderohet si një avantazh i madh procedural.


    ​Këto prova ndërkombëtare plotësojnë dëshmitë e të mbijetuarve të familjes Jashari dhe ekspertimeve mjekoligjore vendore, duke krijuar një dosje të kopsitur juridikisht që vërteton se operacioni mbi Prekazin ishte një krim i organizuar lufte kundër popullsisë civile.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark