117 dënime për trafik para aksidentit fatal, prokuroria kërkon burgim për Vullnet Gashin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    117 dënime për trafik para aksidentit fatal, prokuroria kërkon burgim për Vullnet Gashin

    Insajderi
    04 September 2026 - 12:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ku Vullnet Gashi akuzohet për aksidentin me fatalitet që kishte ndodhur më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.

    Prokurori i rastit, Ardian Mehmeti, tha se pas administrimit të provave është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

    Sipas prokurorit, përmes provave materiale dhe personale është vërtetuar gjendja faktike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mehmeti kërkoi që gjatë caktimit të dënimit të merret parasysh shkalla e dëmit të shkaktuar, përkatësisht vdekja e viktimës, si dhe sjellja e përsëritur e të akuzuarit në kundërvajtjet në trafik.

    Ai bëri të ditur se Gashi, deri në kohën e aksidentit, ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik, duke theksuar se kjo tregon se ai në vazhdimësi nuk i ka respektuar rregullat e komunikacionit. Po ashtu, sipas prokurorit, në ditën e aksidentit i akuzuari ishte pa patentë shoferi.

    Për këtë arsye, prokurori kërkoi që Gashi të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim efektiv.

    Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar V.B., avokati Emrush Kastrati, deklaroi se nga provat e administruara është vërtetuar plotësisht gjendja faktike dhe se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

    Kastrati kërkoi që Gashi të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim efektiv.

    Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Driton Muharremi, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

    Sipas Muharremit, provat materiale dhe personale nuk e dëshmojnë kryerjen e veprës penale. Për këtë arsye, ai kërkoi që Gashi të shpallet i pafajshëm dhe ndaj tij të nxirret aktgjykim lirues.

    Pas dhënies së fjalëve përfundimtare, gjyqtari i rastit, Driton Berisha, e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi më 9 shtator në 13:30.

    Çfarë thuhet në aktakuzë?

    Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shoferi, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taksive, nga pakujdesia kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

    Sipas aktakuzës, ai duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, gjendjen dhe llojin e rrugës, në mënyrë që të ndalonte mjetin para çdo pengese që mund të paraqitej, kishte rrezikuar trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B. ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë, në drejtim të lëvizjes së automjetit, në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion.

    Me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore të automjetit e kishte goditur tani të ndjerin F.B., i cili, si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

    Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023 tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B. ishte e dhunshme dhe kishte ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë. Në raport, sipas aktakuzës, tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.

    Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark