Nga një prej rasteve më të bujshme të Prokurorisë, “Brezovica” përfundoi me një aktgjykim lirues për Liridon Domanekun. Gjykata gjeti se pretendimet për 10 mijë dhe 80 mijë euro nuk u mbështetën me prova të mjaftueshme, ndërsa dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues, Alban Quka, u vlerësua si kundërthënëse. Mbrojtja vuri në pikëpyetje edhe mënyrën se si ishin zhvilluar disa veprime gjatë hetimeve. Një dëshmitar i propozuar nga mbrojtja rrëzoi një nga pretendimet kryesore të aktakuzës për 80 mijë euro
Gazeta Insajderi
Nga konferencat e bujshme dhe akuzat e rënda, deri te një aktgjykim lirues në sallën e gjyqit. Rasti “Brezovica” mori një kthesë të fortë gjatë procesit gjyqësor, ku pretendimet e Prokurorit Rasim Maloku për 10 mijë dhe 80 mijë euro, por edhe lidhja e të akuzuarit me lejet ndërtimore, nuk arritën të provohen.
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda e ka liruar nga akuza Liridon Domanekun, i cili nga prokurori Rasim Maloku ngarkohej për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Aktgjykimi i nxjerrë në lëndën PKR.nr.21/25 tregon se ajo që dukej si një prej rasteve të mëdha të Prokurorisë, në fund u përball me një seri problemesh në provat dhe procedurat e saj, përballë një strategjie aktive të mbrojtjes.
Çka konstatoi Gjykata?
Sipas aktgjykimit zyrtar, nuk është provuar fare se Liridon Domaneku i ka kryer veprat penale për të cilat rëndohej. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria nuk arriti të dëshmojë dhënien e shumës prej 10,000 eurosh, e as pretendimin për shumën prej 80,000 eurosh.
Gjykata theksoi se mbetën të paprovuara burimi i mjeteve, mënyra e sigurimit apo e dorëzimit të tyre, si dhe çfarëdo lidhjeje shkakësore ndërmjet të pandehurit dhe lejeve ndërtimore.
Një nga pikat kryesore të aktakuzës ishte dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues, Alban Quka.
Por pikërisht kjo dëshmi u kthye në një nga problemet kryesore të Prokurorisë. Gjykata vërejti se deklarimet e tij ishin thellësisht kundërthënëse, se ndryshonin për faktet kryesore gjatë procesit dhe se nuk gjenin mbështetje në asnjë provë tjetër materiale apo personale.
E kontaktuar rreth këtij procesi, avokatja Yllka Dashi, e cila udhëhoqi mbrojtjen e të pandehurit, ka shpjeguar për Insajderin se aktgjykimi lirues nuk erdhi thjesht si pasojë e mungesës së provave, por pas një strategjie aktive dhe këmbëngulëse të mbrojtjes.
Sipas avokates Dashi, mbrojtja kishte identifikuar shkelje të rënda procedurale që në fazën e hetimeve.
Ajo theksoi se gjatë marrjes në pyetje të të pandehurit në polici, me kërkesë të vetë Prokurorit të Shtetit, ishte sjellë dëshmitari bashkëpunues për të kryer një ballafaqim të improvizuar aty për aty, pa asnjë bazë formale.
Gjykata e pranoi këtë pretendim të mbrojtjes, duke konstatuar se ky veprim cenoi dinjitetin dhe sigurinë procedurale të të pandehurit, si dhe shkeli garancitë e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, deklarata e dhënë në polici mbeti pa kurrfarë peshe provuese.
80 mijë eurot dhe dëshmitari që doli kundër versionit të akuzës
Një nga momentet më të rëndësishme të gjykimit ishte pretendimi për 80,000 euro. Dëshmitari bashkëpunues i akuzës kishte pretenduar se këto para i kishte marrë nga një punëtor në një kazino, të vendosura brenda një çante sportive.
Mbrojtja nuk u mjaftua me kundërshtimin e këtij versioni. Ajo identifikoi dhe propozoi për dëgjim pikërisht personin e referuar nga dëshmitari i akuzës – Afrim Rifatin.
Para trupit gjykues, Rifati e mohoi kategorikisht këtë version, duke dëshmuar nën betim se nuk e njihte fare dëshmitarin e Prokurorisë, se nuk i kishte dhënë kurrë para dhe se nuk kishte pasur asnjë kontakt me të.
Gjykata i fali besimin e plotë kësaj dëshmie, duke rrëzuar kështu një nga pikat më të rëndësishme mbi të cilat mbështetej aktakuza.
Kur provat e mbledhura nga Prokuroria kthehen kundër saj
Mbrojtja e të pandehurit analizoi hollësisht komunikimet elektronike, projektet arkitekturore, dokumentacionin teknik dhe historikun zyrtar të pronës.
Nga këto analiza doli se objekti me 18 apartamente ishte projektuar dhe destinuar për një person tjetër, Hekuran Konjushën, ndërsa Liridon Domaneku nuk kishte qenë kurrë pronar, investitor apo përfitues.
Dëshmia e arkitektit Valdrin Jusufi konfirmoi prerazi se i mbrojturi nuk kishte asnjë lidhje me projektin, ndërsa emri i tij nuk figuronte në asnjë fazë të lejeve ndërtimore.
Në këtë mënyrë, një pjesë e provave të mbledhura fillimisht nga vetë Prokuroria u shndërruan në elemente shfajësuese për mbrojtjen.
Në mungesë të çdo prove të vlefshme dhe përballë fakteve të paraqitura nga mbrojtja, Gjykata zbatoi parimin universal juridik të dyshimit në favor të të pandehurit, in dubio pro reo, duke e mbyllur këtë proces me një aktgjykim lirues për Liridon Domanekun.
Mega-afera “Brezovica” nisi si një aksion hetues i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, nën udhëheqjen e prokurorit Rasim Maloku, i cili filloi në fund të vitit 2021. Operacionet e para policore u shtrinë në rajonin e Shtërpcës dhe në qendra të tjera të vendit, duke u fokusuar te dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti, si dhe ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri”.
Gjatë viteve të pasueshme, ky rast u nda në disa aktakuza dhe lëndë të veçanta, ku u përfshinë dhjetëra persona, përfshirë zyrtarë publikë, ish-drejtorë komunash, inspektorë dhe investitorë të ndryshëm. Organet e ndjekjes ngritën dyshime se përmes skemave të korrupsionit ishin lëshuar leje ndërtimore në kundërshtim me ligjin, në këmbim të përfitimeve financiare.
Deri më tani, ky proces gjyqësor është përballur me faza të ndryshme të shqyrtimit në departamentet e krimeve të rënda të gjykatave themelore, ku krahas aktakuzave të ngritura nga Prokuroria, palët mbrojtëse kanë kundërshtuar provat e ofruara përmes shqyrtimit të dokumentacionit zyrtar dhe dëshmive në seanca gjyqësore.
Raportimet e Insajderit për rastin ‘Brezovica’: