Drejtësia e vonuar për Prekazin | Mes neglizhencës institucionale dhe faktimit të krimit shtetëror të Serbisë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Drejtësia e vonuar për Prekazin | Mes neglizhencës institucionale dhe faktimit të krimit shtetëror të Serbisë

    Insajderi
    04 September 2026 - 20:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    28 vjet pas masakrës, aktakuza ndaj 35 të dyshuarve rikthen në vëmendje dështimet e një sistemi që për vite la në pritje drejtësinë për Prekazin, ndërsa hetimet e fundit zbardhin përmasën e një operacioni të koordinuar nga strukturat shtetërore të Serbisë.

    Gazeta Insajderi

    Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër 35 personave për masakrën e Prekazit vjen plot 28 vjet pas ngjarjes. Kjo vonesë shumëvjeçare është pasqyrë e një gërshetimi kompleks pengesash juridike, burokracie ndërkombëtare, por mbi të gjitha — e një mungese të theksuar të vullnetit dhe prioritetit institucional në të kaluarën.

    Çfarë përmban dosja e Prekazit?

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngërthen ngjarjet tragjike të datave 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz të Skenderajt, ku mbetën të vrarë mbi 50 anëtarë të familjes Jashari dhe bashkëfshatarë të tjerë, mes të cilëve gra, pleq dhe fëmijë të papolitizuar. Dokumenti i prokurorisë rindërton me detaje të gjithë operacionin ushtarak e policor, rrethimin hermetik të lagjes Jashari, përdorimin e artilerisë së rëndë ushtarake dhe ekzekutimet pa dallim. 35 të pandehurit e përfshirë në aktakuzë ngarkohen me veprat më të rënda të krimeve të luftës kundër popullsisë civile dhe shkeljes së konventave ndërkombëtare, duke dokumentuar qartë zinxhirin komandues që orkestroi sulmin treditor.

    Monopoli i ndërkombëtarëve dhe vakumi ligjor

    Për më shumë se një dekadë e gjysmë, drejtësia për krimet e luftës në Kosovë mbeti “peng” e misioneve ndërkombëtare (UNMIK dhe më pas EULEX). Gjatë asaj periudhe, rasti i Prekazit nuk u trajtua asnjëherë me peshën që mbante.
    Organet vendore të drejtësisë i morën kompetencat e plota vetëm pas viti vitit 2018.
    Deri atëherë ishte herë UNMIK e herë Eulex përgjegjë për hetim të krimeve të luftë.

    Madje Eulex, kur e kreu misionin nuk la as dokumentet origjinale, pos ca kopje.

    Paralelisht, Kosovës i mungonte baza ligjore për t’i gjykuar të dyshuarit në mungesë, meqë pjesa më e madhe e urdhëruesve ndodheshin në Serbi. Vetëm pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale u hap rruga procedurale për të proceduar pa praninë e të pandehurve.

    Kur nisën hetimet zyrtare?

    Në vitin 2019, Prokuroria Speciale vendosi përfundimisht ta merrte në dorë këtë dosje. Siç kishte deklaruar publikisht në një intervistë për InDoks ish-prokurorja e krimeve të luftës, Drita Hajdari, vendimi zyrtar për fillimin e hetimeve për rastin e Prekazit u mor më 1 janar 2019, pasi u konstatua se misionet ndërkombëtare nuk kishin kryer as hapat më minimalë hetimorë.

    Pse u desh të pritej kaq shumë?

    Se pse u desh të kalonin vite të tëra kur materialet ekzistonin, mbetet pyetja kryesore. Rreth 6 vite më parë, Insajderi merr vesh se madje edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) i kishte dërguar Prokurorisë një dosje të detajuar rreth këtij krimi. Pavarësisht se mbi tryezë ekzistonin informacione inteligjence dhe bazë e mjaftueshme për veprim, dosja mbeti e bllokuar në sirtarë.

    Sipas informacioneve, ish-menaxhmenti i Prokurorisë së Shtetit — i cili për një kohë të gjatë funksionoi me ushtrues detyre — nuk e kishte marrë shumë me prioritet këtë rast. Mungesa e vullnetit dhe plogështia drejtuese bënë që një nga masakrat më emblematike të mbetet e patrajtuar për vite me radhë. Kthesa erdhi me ardhjen e menaxhmentit aktual. Me fokusin dhe energjinë e dhënë në këtë rast nga Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj, rasti arriti të përfundohej.

    Operacion i orkestruar shtetëror

    Dhe jo vetëm që u përfundua, por arriti të faktohej se në këtë krim nuk ishin paramilitarët serbë kryesorët, edhe pse grupet e kriminelit Milorad Ulemek “Legia” ishin të pranishme aty. Aktakuza provon shkencërisht e juridikisht se masakra e Prekazit ishte direkt operacion shtetëror i Republikës së Serbisë — i koordinuar në nivelin më të lartë mes Ushtrisë Jugosllave (VJ), Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) dhe Sigurimit Shtetëror (DB) të regjimit të Beogradit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark