Njoftimi për ngritjen e aktakuzës lidhur me veprimet gjenocidale të Serbisë të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 ndaj familjes Jashari në Prekaz, është mirëpritur nga njohësit e fushës së drejtësisë.
Përmes një reagimi, avokati Ardian Bajraktari e ka cilësuar këtë hap si një lajm të mirë, i cili dëshmon përkushtimin e institucioneve vendore të drejtësisë për trajtimin e krimeve të luftës.
Bajraktari rikujtoi se që nga viti 2018, këto raste janë nën përgjegjësinë e plotë të organit të ndjekjes në Kosovë, ndërsa kërkoi që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve gjenocidale të marrin dënimin e merituar.
“Në Prekaz i kanë rrënjët liria dhe shteti ynë. Komandanti Legjendar Adem Jashari, Familja Jashari dhe sakrifica e tyre janë një rast unik në botë dhe si të tillë, mbeten përjetësisht krenaria jonë kombëtare. Drejtësi për Prekazin!”, ka shkruar tutje Bajraktari.