Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mbajtur një konferencë për media lidhur me dorëzimin e aktakuzës për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt.
Ai ka sqaruar veprën penale për të cilën ngarkohen të pandehurit në këtë rast.
“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që të vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullsisë civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjen e datave 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në fshatin Prekaz i Poshtëm, më konkretisht në lagjen Jashari.”
Prokurori Gashi ka bërë të ditur numrin e të pandehurve të identifikuar dhe pozitat e tyre.
“Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.”
Sipas Gashit, këtë njësi e ka udhëhequr Milorad Ulemek “Legija”, për të cilin tha se kishte marrë përsipër sulmin e drejtpërdrejtë ndaj shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.
Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi sipas Prokurorisë Speciale janë shterur mundësitë për sigurimin e të pandehurve dhe sjelljen e tyre në procedurë penale.