Shqipëria po përballet me 11 vatra aktive zjarri, ndërsa situata më problematike paraqitet në Malin e Dajtit.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë 6 shtatorit, deri në orën 20:00, janë raportuar gjithsej 20 vatra. Prej tyre, 11 mbeten aktive, shtatë janë nën mbikëqyrje, ndërsa dy janë shuar, transmeton KosovaPress.
Vëmendja kryesore mbetet në Malin e Dajtit, ku flakët vazhdojnë të jenë aktive. Në ndërhyrje po marrin pjesë edhe Forcat e Armatosura me efektivë, mjete dhe helikopter.
Në Qarkun e Shkodrës, vatra Bardhaj–Myselim mbetet aktive. Në operacion janë përfshirë strukturat vendore, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura, përfshirë dy helikopterë. Flakët vazhdojnë edhe në Kulumri të Fushë-Arrëzit.
Vatra aktive janë regjistruar edhe në Kropisht të Selenicës dhe Vokopolë të Poliçanit.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës.