Aksident në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, humb jetën një person

09:13 | 7 Shtator 2026
H.E

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë pesë automjete.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:20. Euronews.al, raporton se si pasojë e përplasjes me një kamion, një 45-vjeçar, ka humbur jetën në vendngjarje.

Pas përplasjes së parë, në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera. Në këto mjete udhëtonin G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, së bashku me pesë pasagjerë.

Policia bën me dije se drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët e përfshirë në përplasjen e shumëfishtë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shtetasja A. V., e cila dyshohet se drejtonte një prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja. Ajo është shoqëruar më pas nga Policia për të dhënë shpjegime dhe për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Shpërndaje në rrjete sociale