Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit lidhur me situatën e zjarreve që kanë përfshirë vendin. Sipas ministrisë, aktualisht në qarkun e Shkodrës janë aktive pesë vatra zjarri.
Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, forcat operacionale kanë vijuar ndërhyrjet në terren për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre. Vatrat aktive janë raportuar në zonat Bardhaj-Myselim, Bërdicë, Mnelë e Madhe, si dhe në malin e Tërbunit në Pukë.
Prioritet i ekipeve të angazhuara në terren mbetet mbrojtja e banesave dhe zonave të banuara, si dhe frenimi i përhapjes së flakëve.
Vatrat aktive janë:
Në Bardhaj-Myselim, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave për të ndërhyrë në rast të riaktivizimit të vatrave.
Në Bërdicë, ndërhyrja gjatë natës bëri të mundur mbrojtjen e banesave dhe vendosjen e situatës nën kontroll. Ndërhyrje është kryer edhe në një vatër zjarri në Shtoj të Ri.
Në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau Dejës, zjarri vijon aktiv, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Forcat në terren po punojnë për mbrojtjen e zonës së banuar. Një tjetër vatër është raportuar në Naraç.
Situata mbetet problematike edhe në Malin e Tërbunit në Pukë. Era po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa vija e flakëve shtrihet në më shumë se 10 kilometra në kurorë pyjore. Deri tani nuk raportohen banesa në rrezik.
Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar plotësisht dhe zona vijon të monitorohet. Ndërkohë, në Iballë-Fierzë zjarri mbetet aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar ndërhyrjen nga toka.
Në operacion janë angazhuar forcat e MZSH-së, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile.
