zoom

Aktualitet

“5 mln euro ose ik nga Shqipëria”. 40 persona të armatosur kërcënojnë biznesmenin Vasil Bedinaj, aksidentohen gjatë arratisjes

“5 mln euro ose ik nga Shqipëria”. 40 persona të armatosur kërcënojnë biznesmenin Vasil Bedinaj, aksidentohen gjatë arratisjes

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të enjteje në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash dyshohet se ka shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të biznesit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas informacioneve paraprake, personat kanë kërcënuar fillimisht pronarin e hotelit, Vasil Bedinaj, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar dhe dyshohet se janë përdorur edhe armë.

Grupi i ka kërkuar biznesmenit një shumë prej 5 milionë eurosh. Mes palëve ka pasur edhe një përplasje fizike, ndërsa personat e dyshuar janë larguar me shpejtësi nga ambientet e hotelit.

Pas njoftimit për ngjarjen, Policia ka nisur ndjekjen e autorëve. Gjatë largimit, dy prej personave që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.

Të dy të plagosurit janë transportuar me ambulancë në spital për ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa tjetri ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.

Dy personat e aksidentuar, të dy nga Tirana, janë arrestuar nga Policia, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje.

Forca të shumta policie janë angazhuar në disa zona të Vlorës, ndërsa janë ngritur pika kontrolli për lokalizimin e të dyshuarve.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe motivet e konfliktit. Informacionet e deritanishme mbeten paraprake.

Postime të lidhura