Aplikacion
Kryepolici i DVP Vlorë, Ervin Ndreu ka dalë në një konferencë për mediat mbrëmjen e kësaj të enjte, për të sqaruar konfliktin e biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, në ambientet e resortit të këtij të fundit, “Rengina Palm” në Radhimë.
“Rreth orës 11:30 jemi njoftuar se Vasil Bedinaj ishte kërcënuar me arme zjarri. Ngritëm pika kontrolli ne qytet dhe ne Dhërmi. Njoftuam dhe Fierin dhe Gjirokastrën. Rreth ores 12:00 në pikën e kontrollit në Alikokë, mjeti Range Rover nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.
Ai ka vazhduar drejt fshatit Peshkëpi. Në urën e Peshkëpisë, ky automjet ka humbur drejtimin dhe është përplasur me barrierat e rrugës.
Në këtë automjet ndodheshin Luan Muça, Klaudio dhe Mandid Lleshaj, vëllezër dhe punonjës të SWAT Security. Si pasojë e daljes nga rruga, Luan Muça dhe Mandid Lleshaj janë dërguar në spital sepse janë plagosur. Policia ka gjetur në makinë pistoletë dhe krehër me 16 fishekë”, u shpreh drejtori Ervin Ndreu.
Më tej, kryepolici i Vlorës ka sqaruar se shërbimet e DVP Fier kanë ndaluar në bypassin e Fierit një automjet të shpallur në kërkim, i dyshuar i përdorur në ngjarjen e Radhimës. Në drejtim të tij ka qenë shtetasi kosovar, Blerim Heta.
“Në orën 13:00 pika e kontrollit në Fier te Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një automjet të shpallur në kërkim për këtë ngjarje, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta. Nga kontrolli, kishte dëmtime në xham, krahu i pasagjerit, të shkaktuara nga armë zjarri. Brenda janë gjetur 3 fishekë pistolete.
Rreth orës 16:30 në Bypassin e Vlorës, në Kaninë është konstatuar duke u djegur një automjet Audi A8 i dyshuar i përdorur në ngjarje”, njoftoi kryepolici i Vlorës, duke konfirmuar se dhe Audi A8 që po digjej në Kaninë 5 orë pas ngjarjes, ishte i Luan Muçës, biznesmeni pronarë i Deltës.
Për këtë ngjarje, janë arrestuar pesë shtetas dhe janë shpallur në kërkim gjashtë të tjerë, si dhe katër makina të dyshuara të përfshira. Sipas kryepolicit Ervin Ndreu, biznesmeni Luan Muça dhe shoqëruesit e tij i kanë vendosur gjobë 5 milionë euro Vasil Bedinaj dhe i kanë lënë 48 orë kohë të largohej nga Shqipëria.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se shtetasi Luan Muça bashkë me disa shtetas të tjerë, kanë shkuar në hotelin në pronësi të Vasil Bedinaj, të cilit nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike i kanë vendosur gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Ndërkohë, shtetasi Anxhelo Breshani ka shkuar në makniën e Vasil Bedinaj, ka marrë armën e zjarrit që ai e dispononte me leje, dhe ka qëlluar drejt makinave dhe shtetasve që ndodheshin aty.
Janë arrestuar: Luan Muça, Klaudio Lleshaj, Mandid Lleshaj, Blerim Heta, Anxhelo Breshani.
Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 makina të përfshira në këtë ngjarje.
Vrasje e mbetur në tentativë, shtrëngim për dhënie pasurie dhe armëmbajtje pa leje”, sqaroi më tej kryepolici i Vlorës, Ervin Ndreu, duke thënë se kontrollet në qytet vazhdojnë për të ndaluar personat e tjerë, të cilët mund të jenë dhe të plagosur.