Shkruan: Fatos Berisha
Edhe për arsye personale e kam dashur shumë kinemanë italiane. Filmat e parë të neorealizmit italian i kam parë me shumë emocion dhe, siç ndodh zakonisht me kinemanë e vjetër, edhe kur filmat ishin të dobët më bënin për të qeshur. Por një gjë nuk e kam kuptuar kurrë.
Pse Federico Fellini e kishte kaq shumë qejf fshatin?
Në një kohë kur Italia kishte qytete si Roma, Milano, Torino, Napoli dhe Venecia, ky njeri vazhdonte të na tregonte rrugica, sheshe, kafene të vjetra, cirk, njerëz provincialë, prostituta, të dehur, fshatarë, gra të trasha, burra të shëmtuar dhe njerëz që dukeshin sikur nuk kishin parë kurrë një dermatolog.
Madje në disa raste të krijohet përshtypja se Fellini kishte një problem personal me njerëzit e bukur.
Rrugë të shtrembra, makina të vjetra, biçikleta, furgona, kafene që nuk e kupton nëse janë kafene apo stacion autobusi, tavolina të pista, rroba të vjetra, gra që bërtasin, burra që pinë, fëmijë që vrapojnë dhe, natyrisht, kafshë. Shumë kafshë. Gjela. Pula. Kuaj. Qen. Gomerë.
Por problemi nuk mbaron këtu.
Fellini kishte një obsesion edhe më të madh: njerëzit e shëmtuar. Nuk di pse.
Njerëz me hundë të mëdha, dhëmbë të prishur, fytyra të rrudhura, trupa të çuditshëm, flokë të pakrehur dhe rroba që dukeshin sikur ishin trashëguar nga gjyshi. Dhe çfarë bëjnë këta njerëz? Pinë. Zihen. Bërtasin. Shajnë. Dashurohen. Qajnë. Bëjnë seks. Hanë. Qeshin. Pastaj prapë pinë.
Në ‘Amarcord’, Fellini na tregoi një Itali provinciale, absurde, seksuale, qesharake, nostalgjike, fashiste, vulgare dhe plot me njerëz që nuk do t’i ftonim në një darkë diplomatike.
Në ‘La Strada’ na dha njerëz të varfër dhe një botë që duket sikur është harruar nga Zoti.
Në ‘I Vitelloni’ na dha të rinj provincialë që kalojnë kohën duke bredhur, duke pirë dhe duke mos ditur çfarë të bëjnë me jetën.
Njerëz të çuditshëm. Natë. Mjerim. Por, edhe humor. Sepse Fellini kishte bërë një zbulim që duket se është shumë i vështirë për t’u kuptuar, sidomos nga B.Blushi: njerëzit e varfër nga fshati mund të na bëjnë të qeshim. Madje mund të jenë edhe të bukur. Jo fizikisht. Njerëzisht.

Besoj se ti që ke pasur durimin për ta lexuar deri këtu shkrimin tim e ke kuptuar ironinë time dhe parodizimin ndaj shkrimit të Ben Blushit për kinematografinë shqiptare/ kosovare.
Natyrisht, nuk pretendoj të kritikoj Fellinin e as të krahasoj gjenialitetin e Fellinit me filmat e Shqipërisë apo Kosovës, por duke tentuar ta parodizoj atë shkrim te B.Blushit tentova të vë në pah huqjen e tij të madhe.
Sepse Blushi ka një problem të madh në krahasimin e kinemasë moderne shqiptare me ate të kohës së komunizmit stalinist të Enverit.
Është një problem serioz për çdo person që mendon se bukuria e vendit duhet të jetë më e rëndësishme se e vërteta e personazhit ne film.
Sepse, nëse do ta gjykonim Fellinin me kriteret e një katalogu turistik, ai do të kishte dështuar.
Shkrimi i Blushit ka elemente që mund të lexohen si snobizëm intelektual i shoqëruar ne nostalgji estetike për disa tipare të soc-realizmit shqiptar.
Madje paradoksi është interesant: ai kritikon kinemanë e sotme duke e krahasuar vazhdimisht me Kinostudion e komunizmit, ndërkohë që disa nga kriteret estetike që përdor për ta lavdëruar kinemanë e vjetër janë pikërisht ato që realizmi socialist i kishte institucionalizuar.
Kaq për B.Blushin. E për festivalin kombëtar të filmit shqiptar, pak më vonë.
I juaji.
Fatos Berisha