Aplikacion
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Finale Ligure në provincën e Savonës, në Itali, ku tre anëtarë të së njëjtës familje janë gjetur të pajetë në banesën e tyre. Mes viktimave është edhe një 14-vjeçar, futbollist i ri dhe premtues i një klubi lokal.
Tragjedia dyshohet se ka ndodhur gjatë natës mes 2 dhe 3 shtatorit. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, 59-vjeçari Daniele Baruzzo dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij, 60-vjeçaren Paola Siri, si dhe djalin e tyre 14-vjeçar, Mattia. Më pas, sipas të njëjtës pistë hetimore, ai ka vrarë veten.
Ngjarja u zbulua vetëm disa orë pas të shtënave. Fqinjët raportohet se kishin dëgjuar zhurmat e armëve rreth mesnatës, ndërsa alarmi u dha më vonë, duke bërë që në banesë të mbërrinin karabinierët, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës.
Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, për tre pjesëtarët e familjes nuk mund të bëhej më asgjë. Ata u gjetën të pajetë brenda banesës.
Në vendngjarje, hetuesit kanë gjetur edhe një shënim të lënë nga kryefamiljari.
Sipas informacioneve paraprake, Baruzzo kishte armën me leje dhe ishte i rregullt në aktivitetet në poligon qitjeje./ Zoom.al