Policia e Shtetit është përfshirë në një konflikt të dhunshëm në Kuçovë me anëtarët e një familjeje, në vështirësi ekonomike.
Ngjarja është denoncuar nga deputeti Erald Kapri, i cili thotë se në fshatin Krekëz të Kuçovës, kryefamiljari është marrë zvarrë nga efektivët e policisë në prani të fëmijëve, ndërsa shkak i ndërhyrjes ka qenë suvatimi i mureve të banesës pa leje.
Sipas denoncimit të publikuar nga Erald Kapri, bëhet fjalë për familjen Toska, e cila jeton në fshatin Krekëz të Kuçovës.
“Në fshatin Krekëz të Kuçovës, policia ushtroi dhunë ndaj familjes pse suvatoi muret e shtëpisë. Familja Toska në fshatin e largët të Kuçovës është terrorizuar nga Policia e Shtetit duke e marrë zvarrë në sy të fëmijëve kryefamiljarin Dashnor Toska sepse kishte suvatuar muret e shtëpisë pa leje”, thuhet në denoncimin e Kaprit.
Sipas tij, situata bëhet edhe më e rëndë për shkak të kushteve në të cilat ndodhej familja.
“Familja flinte jashtë për shkak se banesa ishte e amortizuar por terrori policor arrestoi edhe kryefamiljarin Toska me 6 anëtarë”, vijon Kapri.
Pas denoncimit, reagoi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Ai i pezulloi nga detyra tre policët e përfshirë në ngjarje dhe urdhëroi nisjen e hetimit disiplinor për ta.
Në reagim u sqarua edhe arsyeja e konfliktit, sipas policisë.
“Ndërkohë, sqarojmë opinionin publik se shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij.
Më datë 20.07.2026, në Komisariatin e Policisë Kuçovë është paraqitur kunata e shtetasit D. T., shtetasja V. T., e cila ka kallëzuar se ky shtetas e kishte kanosur.
Në kuadër të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Kuçovë dhe pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më datë 03.08.2026, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz, për të shoqëruar shtetasin D. T., i cili nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat, pas njoftimit nga ana e Policisë, për t’u pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Në vijim të veprimeve për rastin, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.
Duke qenë se palët janë në situatë konfliktuale dhe në proces gjyqësor për një pronë (tokë), Komisariati i Policisë Kuçovë e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problematikën ndërmjet tyre, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës, duke reaguar ndaj çdo njoftimi dhe duke kryer veprimet procedurale në përputhje me ligjin.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit garanton qytetarët se çdo pretendim për shkelje të ligjit apo të standardeve profesionale nga ana e punonjësve të Policisë do të verifikohet me seriozitet dhe paanshmëri”, është reagimi i Policisë së Shtetit./ Zoom.al