Aplikacion
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka mohuar që Thesari i Shtetit të ketë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht. Sipas tij, problematika lidhet me listëpagesat e dorëzuara nga KLGJ dhe KLP, të cilat janë hartuar mbi një metodologji të re.
Malaj u ka kërkuar dy institucioneve që listëpagesat e gushtit të ridërgohen sipas formulës së përdorur deri në muajin korrik, pasi ndryshimet e reja të pagave nuk mund të zbatohen pa miratimin e Kuvendit.
KLGJ dhe KLP kishin vendosur rritjen e pagës referuese të magjistratëve nga 156,800 në 222,425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin.
Ministri garantoi se pagesat do të procedohen pa vonesë sapo listëpagesat të paraqiten sipas metodologjisë në fuqi. Ai theksoi se pagat e institucioneve të tjera të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe Gjykatën Kushtetuese, janë ekzekutuar normalisht.