Aplikacion
Një konflikt i nisur në ambientet e hotelit “Regina” në Radhimë është kthyer në një ngjarje me ndjekje policore, aksident dhe një armë zjarri të sekuestruar.
Policia e Vlorës ka zgjedhur të mos bëjë publik asnjë emër në njoftimin e saj paraprak për konfliktin e ndodhur në zonën e Radhimës, pranë hotelit “Regina”.
Në versionin zyrtar flitet për “pronarin e një resorti”, i cili ka telefonuar policinë për të njoftuar se po konfliktohej me persona të armatosur. Më pas përmendet ndjekja e një automjeti, aksidenti i tij pranë Pusit të Mezinit, tre personat që ndodheshin në makinë dhe gjetja e një pistolete.
Por as pronari i hotelit nuk identifikohet me emër, as personat e ndodhur në automjet, as të dëmtuarit dhe as personat që dyshohet se ishin pjesë e konfliktit.
Ngjarja është raportuar rreth orës 11:30 të së enjtes, kur pronari i resortit, Vasil Bedinaj, ka njoftuar policinë se po konfliktohej me disa persona të armatosur. Forcat e rendit janë nisur drejt zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Pak më vonë, në afërsi të Pusit të Mezinit, policia ka konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi. Pas ndjekjes, drejtuesi ka humbur kontrollin dhe makina është aksidentuar. Brenda saj ndodheshin tre persona; dy u dëmtuan, ndërsa i treti nuk pati probleme shëndetësore. Në automjet u gjet edhe një pistoletë.
Ky është versioni i konfirmuar deri tani nga policia.
“Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen”, është njoftimi i “thatë” i policisë për ngjarjen.
Por raportimet e disa mediave e vendosin ngjarjen në një kontekst shumë më të madh.
Një prej emrave të përfshirë në ngjarje është Luan Muça. Sipas burimeve, Muça dyshohet se ka qenë në ambientet e hotelit në momentin e përplasjes me Bedinajn. Personat e armatosur dyshohet se kanë qenë punonjës të një kompanie private sigurie të kontraktuar nga Muça. Muça ka mbetur i plagosur gjatë ngjarjes.
Ndërkohë, i lidhur me ngjarjen është edhe i Bujar Muça, i nhohur si pronar i “Delta-s”. Megjithatë, informacioni për rolin konkret të tij në ngjarjen e Radhimës mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht.
Një tjetër emër i përmendur është Madrit Lleshaj, i lidhur me kompaninë “SWAT Security”.
Personat e armatosur që dyshohet se kanë shkuar në hotel mund të kenë qenë punonjës të kësaj kompanie private sigurie dhe kompania raportohet se ishte kontraktuar nga Muça për sigurinë e bizneseve të tij.
Të gjitha këto detaje mungojnë në reagimin zyrtat të policisë për ngjarjen, njësoj siç mungon edhe konfirmimi se sa persona ishin të përfshirë në konflikt.
Policia i etiketon vetëm si “persona të armatosur”, por nuk tregon për kë bëhet fjalë dhe pse një konflikt kaq i madh në një biznes me emër në një qytet të madh si Vlora.
Pyetja që shtrohet është: Kë po mbron policia duke fshehur emrat e të autorëve të ngjarjes? Mburojë e kujt po bëhen strukturat e shtetit, që janë aty për të garantuar rendin dhe sigurinë?/ Zoom.al