Cinizmi i Pashës për ‘tutën’ e shqiptarëve ndaj malazezëve: Shpërthimi epik i Oso Kukës
Zot, ç’ka thânë njaj Avdi Pasha: Paska mbetë Shqypnija m’vasha... Por mue djalë nuk m’ká qillue; E n’Shqypni nji djalë drangue, T’cilit mos t’i dhimbet jeta, Fort kerkova e s’mund e gjeta... Kshtu ankoi Pasha turçeli. Oso Kuka paska ndi: Paska ndi e kênka idhnue. Me qitë m’ Pashen ká mendue, Por i urti kurr nuk ngutet, Prej burrnis e jo prej tutet; Veç pá i folë s’mujt me u durue: Avdi Pashë, tha, mâ kadalë! Mos e thuej dý herë at fjalë, Se, per Di;n e per Imá’n, T’bâj qi t’kjajë e zeza nânë: Pse n’Shqypni ká djelm si Zâna, Qi per Mbret e troje t’veta Nuk u dhimbet gjâja as jeta.
Mesi i shekullit të XIX-të, si pesë shekujt paraprakë, shqiptarët i gjeti nën sundimin e Perandorisë Osmane. Pasha turqeli donte t’i tatonte tokat shqiptare, por jo për t’i mbrojtur nga malazezët, që morën veriun e Shqipërisë deri në Shkodër.
Vetëflijimi i Oso Kukës shkërmoqet në pesë këngët e para nga atë Gjergj Fishta në veprën “Lahuta e Malcís”. Fillesa e Lahutës nxjerr në pah pabesinë e cubave malazezë si “gjarpërinj ndër kaçuba”, e përfundon me shfarosjen e tyre pasi ju patën rënë në qafë shqiptarëve të Karadakut.
Mbretëria malazeze që mbiu nga Traktati i Shën Stefanit, nuk e mjaftoi Krajl [Knjaz] Nikollën e Malit të Zi, i cili për 60 vjet rresht, pati synim ta zgjerojë mbretërinë e tij në jug, në mënyrë që Shkodrën ta bënte kryeqendrën e principatës.
Ndërkohë që Abdi pashë Çekrezi — i ngarkuar nga Porta e Lartë në Stamboll për të administruar Shkodrën – nuk u dilte zot as shqiptarëve e as tokave të tyre.
Përveç që pashai nuk kishte gatishmëri t’i mbronte shqiptarët edhe pse detyrohej, në “Lahutën e Malcís”, ai edhe provokon në prezencë të Oso Kukës, duke thënë se shqiptarët s’kanë gatishmëri për ta mbrojtur vetën e tyre.
“Zot, ç' ká thánë njaj Avdi Pasha: Paska mbetë Shqypnija m' vasha, Qysh se s' léka mbrendë nji djalë, N' at Vranine mue sod me m' dalë... Por mue djalë nuk m' ká qillue; E n' Shqypní nji djalë drangue, T' cillit mos t' i dhimet jeta Per Daulet e troje t' veta, Fort kerkova e s' mund e gjeta”.
Viktimë e këtij provokimi ra Osman Bejtullah agë Kuka [Oso Kuka] — shqiptar me gradën e kapitenit “yüzbaşı [tr]” në ushtrinë e Perandorisë Osmane, ushtarak i shkolluar në Anadoll dhe Alepo , i cili shërbente si komandat i Rojeve të Kufirit në vijën kufitare osmano-malazeze.

Kukajt e Shkodrës u bënë të njohur në kohën e gjyshit të Oso Kukës, i cili në fillimshekullin e XIX-të kishte fituar shumë prona duke shërbyer për Bushatllinjtë e Shkodrës. Pozitë të lartë kishte edhe vëllai i Oso Kukës, Jusuf Kuka.
Pas fjalëve me thumb të pashës, hidhërimi i Oso Kukës shkoi aq lartë sa edhe mendonte ta vriste eprorin e vet. Megjithatë, Fishta thotë se “i urti kurr nuk ngutet, Prej burrnis e jo prej tutet”, andaj edhe Oso Kuka përmes një gjesti heroik, duke rënë pre e provokimit të Abdi pashë Çekrezit, e vërtetoi se në Shqipëri ka të tillë që u dalin zot shqiptarëve.
Oso Kuka nuk e lë edhe shumë fajtor Abdi pashën për provokimin e bërë. Kjo sepse shqiptarët nën sundimin osman kishte kohë që i kishte marrë lumi, me të ardhur ‘pasha turçeli’.
“Kshtû ankoi Pasha turçelí. Oso kuka paska ndí: Paska ndí, po, e kênka idhnue: M' sylah doren paska çue: Me qitë m' Pashen ká mendue. Por i urti kurr nuk ngutet, Prej burrnís e jo prej tutet, Prandaj Osja ndali doren, E as m' e xjerrë s' e xuer mizoren, N' fletë t' sylahit çatallue; Veç pá folë s' mujt me u durue: Avdì Pashë, tha, mâ kadalë! Mos e thuaj dý herë at fjalë, Se, per Dî'n e per Imâ'n, T'bâj qi t' kjajë e zeza nânë! T' bâj qi t'kjajë pa «exhel»tý nâna; Pse n' Shqypní ká djelm si Zâna, Qi per Mbret e troje t' veta Nuk u dhimet gjâja as jeta... Por s’ké faj ; pse zâni i zí Aj ká dalë, po, per Shqypní, qysh se erdh Pasha turçelí”.

Ishulli i Vraninës ishte pikë strategjike që bënte pjesë në planet e mbretit malazez, për pushtimet e mëtutjeshëm në jug. Aty brenda kalasë — 25 kilometra larg Podgoricës — Oso Kuka u vendos bashkë me 25 shokët e tij, për të pritur cubat malazezë.
Me të parë forcat e Nikollës, Oso Kuka urdhëron të shtihet me top për të sinjalizuar Kalanë e Shkodrës se rreziku erdhi. Megjithatë, Abdi pashë Çerkezi, nuk dërgoi ndihmë asnjë ushtar, duke lënë Oso Kukën me shokë të prerë në besë.
Para luftimeve, malazezët tentuan ta evitojnë luftën duke i propozuar Oso Kukës dhe shokëve të tij amnisti, para e pozita. Megjithatë, asnjë nga këto nuk arriti ta korruptojë Oson me shokë, i cili mes vetës dhe cubave la hapësirë vetëm për plumba e barot.
Nipi i Oso Kukës, Alush Kuka, rrëfen se xhaxhai i tij bashkë me 25 shokët luftuan për 20 orë rresht, para se të sakrifikoheshin të gjithë bashkë në Kalanë e Vraninës.
“Pas dukjes së lundrave malazeze, qëndrimit në breg, negociatave të dështuara... Oso Kuka zhvilloi luftë për 20 orë rresht, para se në fund t’i çonte të gjithë në erë”, Alush Kuka.
E ata cuba që arritën t’u shpëtojnë plumbave nga frëngjitë e kalasë, panë se përmes dyerve nuk mund të hynin, andaj ia mësynë kulmit për t’i hequr tjegullat e fortifikatës.
Pas 20 orë luftimesh të ashpra, Oso Kuka la ushtrinë malazeze të afrohen ndjeshëm, që bashkë me ta, shokët dhe kalanë, t’i ndezin fuqitë e barotit në mënyrë që të fluturojnë mbi Vraninë. Shpërthimi ishte aq i fortë, sa pos Oso Kukës me shokët e tij, të vrarë mbetën edhe disa qindra malazezë, e flaka ishte parë gjer në fund të Shkodrës.
.jpg)
“Flaka është parë deri në bregun e dytë Shkodrës”, transmeton trashëgimtari Alush Kuka. E pasi cubat u farosën, tek atëherë, Abdi pasha çoi ushtarë për të parë ç’kishte ndodhur. Një nga të pranishmit rrëfeu se Vraninës i vinte era mish i djegur, ndërsa mbetje mortore nuk u gjetën.
“Krisi Osja atbotë si ulâni, Mje m'Cetinë i vojti zâni: «Ah kadalë, Nikollë, t' vraftë Zoti! Pse ktû i thone Oso barotí: Se s' ké pa Shqyptár me sý, Se djegë vehten edhè tý!» Edhè zjarrë i dha barotit... Se ç' â dridhë Vranina e shkretë! Se ç' â hjedhë kulla perpjetë! Se edhe L'qêni ç' ká gjimue M' kalá t' Shkoders tuj ushtue! Kembë e trupen, krahë e krena, Hî e tym e flakë e shkndija, Eni, eni, mori serbina, Eni, eni te Vranina, Mblidhni vetë nper shpat e prrue Ehú! Kortarët e djelmve t'ue; Edhè msoni fmín mbas sotit Mos t' lakmojn tokës s' Kastriotit”.
Shkrimtari i famshëm shqiptar, Faik Konica, më 1900 (39 vjet pas ngjarjes), botoi historinë e Oso Kukës me shokët e tij, në gazetën Albania.

Fakti që Abdi Çekrezi me ushtrinë e tij otomane nuk i doli në ndihmë Oso Kukës dhe shokëve të tij, bëri që në Shkodër të plasin protesta. Shkodranët rrokën armët dhe u rebeluan derisa ushtria otomane u detyrua të mbyllej në Kështjellën e Shkodrës.
Pas protestës së ashpër të shqiptarëve me akuza ndaj pashait se nuk i dërgoi ndihmë Oso Kukës, Porta e Lartë në Stamboll u detyrua të shkarkojë Abdi Pashë Çekrezin nga pozita e tij.
*Teksti është botuar pas konsultimeve me dy profesorë universitarë për rrjedhën e ngjarjeve dhe saktësinë e tyre, por të njëjtit s’deshën t’u citohej emri apo fjalët e tyre.