Kritikat e VV-së ndaj VV-së: A ka tendencë pushteti për të kapur edhe opozitë-bërjen në Kosovë? - NACIONALE

Kritikat e VV-së ndaj VV-së: A ka tendencë pushteti për të kapur edhe opozitë-bërjen në Kosovë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës konsiderohet se nuk përfaqësojnë as sa duhet e as si duhet pakënaqësinë qytetare me pushtetin e me krejt skenën politike. Prandaj, kjo e ka liruar vendin për partinë opoziare jashtë Kuvendit (PSD) e bile edhe për vetë një pjesë deputetësh të pushtetit që t’i hyjnë kritikës. Ky tekst është për këta të fundit.

Rasti i fundit është ai i Fatmir Humollit, ish luftëtarit të UÇK-së që u bë deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Humolli nuk i rezistoi ‘tundimit’ për të kritikuar ministrin e Bujqësisë, z. Faton Peci, në lidhje me menaxhimin që po i bënte ministria problemeve në këtë fushë.

“Gjakderdhja financiare që është bërë, është duke vazhdu... [Ne] Vetëvendosja kena kërku që kena me ndalë këtë. Kam kërku prej qeverisë që me ndalë, edhe nuk ka ide se qysh me zhvillu. Unë i kam thanë Albin Kurtit unë hy në listë por me kushtin që duhet me u bë një mijë fshatra prodhuese. Me një mijë fshatra prodhuese, tash Qeveria e Kosovës nuk vjen me bisedu as nuk kam mundësi me bisedu që është ministri që nuk merr vesh për Bujqësi, nuk e di ai çka ka të kryer, por ai nuk merr vesh për Bujqësi dhe tash çka ke me bisedu me të”, ishte shprehur z. Humolli ndër tjerash.

I pyetur sot nga gazetarët për këtë kritikë, Humolli ishte shprehur se u nxit nga vetë kryeministri për të bërë kritika.

Kritika e VV-së për pushtetin e VV-së

“Kryeministri është duke nxitë për me ba kritika për me shty me punu më mirë!”, u shpreh sot ndërkohë z. Humolli.

Kryeministri po nxit kritikët që ta kritikojnë?

Në fakt, raporti i Qeverisë së Kosovës me mediet del se nuk është përmirësuar nëse i referohemi një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2021.

Eksponentë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë kursyer gazetarët duke i lidhur ata me Serbinë, UDBA-n, Rusinë, PAN-in e të tjera grupime dashakeqe ndaj shtetit tonë.

Sidoqoftë, kritika në raport me punën qeveritare në fusha të caktuara të Qeverisë kanë ndodhur edhe më parë nga eksponentë të pushtetit.

Burim Karameta i Listës Guxo kishte kritikuar në kulmin e vdekjeve nga pandemia, në shtatorin e vitit 2021, ministrin e asokohshëm nga Vetëvendosje, z. Arben Vitia:

“I nderuar z. Vitia, mbase jeni lodhur, mbase ju ka humbur koncentrimi për t’u marrë me çështje ministrore, por që duhet të definonit pozicionet e tua politke kjo s’ka dyshim. Një veprim i tillë nga ana juaj duhet ndërmarrë, ngase në të kundërtën do të dobësoheshit akoma më shumë në vendimmarrje që përkojnë me nevojat qytetare”, kishte thënë ai.

Po ashtu, aktivisti i moçëm i partisë së Kurtit dhe ish-kandidati për deputet, Hysamedin Feraj, vazhdon të thotë në intron e profilit të tij në Facebook se mendon që “Bashkimi Kombëtar duhet bërë sot!”

Para më shumë se një muaji, kundërshtimet mes Vetëvendosjes ranë në sy edhe për çështjen e bashkëjetesave mes seksit të njëjtë.

Një grup deputetësh, përfshirë Visar Korenicën, Gramos Agushollin, Gazmend Gjushincën, Valon Ramadanin, Burim Karametën, Jahja Kokën, Nijazi Isakun e Eman Rrahmanin nuk votuan pro, përkundër që kryeministri Kurti u kishte kërkuar publikisht ta bënin një gjë të tillë.

Gazeta Nacionale ka raportuar javën e kaluar se Kurti ka kërkuar dorëheqjen nga funksionet partiake për këtë çështje për të paktën tre prej deputetëve të lartpërmendur.

A ka një dreq në detaje në kritikën e pushtetit për pushtetin?

Nëse e besojmë deklaratën e z. Humolli se Kurti po nxit kritika nga bashkëpartiakët në mënyrë që puna e tyre qeveritare të përmirësohej, atëherë këtu nuk ka asgjë të keqe.

Problemi bëhet problem në tendencën që pushteti të jetë kontrollues edhe i kritikës opozitare. Pra, që pushteti të kontrollojë edhe atë që thuhet për kritikën.

Ja çka shkruante z. Hysamedin Feraj më 4 shkurt të këtij viti: “Ky është ripohimi më masiv mbas 14 shkurtit: shpresa, besimi, kritika, lavdërimi, e ardhmja, mbetet vetëm te Vetvendosje!

Të tjerët? Meqë nuk ekzistojnë për mirë, nuk ekzistojnë hiç: as për kritikë!”

Por, opozitën e kishte kritikuar në lidhje me kritikën madje edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

Ai shprehej se qeverisja e tij kishte nevojë për kritikën e opozitës, por e cila nuk po i pëlqente në formën e saj.

“Ne kemi problem të madh me juve se jeni të paaftë me bë kritikë. Qeverisja demokratike ka nevojë për kritikë të opozitës, të cilën ne nuk po e shohim dhe as po e dëgjojmë, prandaj më lejoni që ta shpreh gatishmërinë time edhe në këtë drejtim. Unë mund të jap edhe ide si të më kritikoni, por ju duhet të kërkoni një gjë të tillë”, ishte shprehur Kurti më 27 maj të vitit 2021.

Nëse një gjë e tillë tregon për tendencën që të kapet edhe opozitë-bërja dhe kritika ose për një dashamirësi që ajo të përmirësohet me të vërtetë, mbetet për t’u parë.

Lajme të ngjashme