Dëshmitarët i tregojnë Nacionales për shkeljen e vajzës 9-vjeçare nga ministrja Rozeta Hajdari - NACIONALE

Dëshmitarët i tregojnë Nacionales për shkeljen e vajzës 9-vjeçare nga ministrja Rozeta Hajdari

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja Rozeta Hajdari mbrëmë ka goditur me veturën personale një fëmijë në rrugën “Vicianum” në lagjen Arbëria në Prishtinë. Nacionale ka arritur të bisedojë me disa prej dëshmitarëve të aksidentit të shkaktuar nga ministrja Hajdari.

Dëshmitarët në kushte të anonimitetit i thanë Nacionales së fëmija po kalonte rrugën në momentin kur është goditur me veturë nga ministrja. Po ashtu, Nacionale mësoi se fëmija ka qenë në dhimbje dhe është bartur brenda supermarketit aty pranë menjëherë pasi ishte goditur, ku i është ofruar edhe ndihma e parë.

“I qitke ujë edhe ia ngjeshke këmbën, po këmba veç filloi të ënjtej”, thotë një prej dëshmitarëve që kishte parë skenën derisa vajzën nëntë-vjeçare po e fusnin në supermarketin Meridian.

Dëshmitarja po ashtu tha se përgjatë gjithë kësaj, fëmija po bërtiste vazhdimisht dhe ishte në dhimbje, përderisa rreth saj ishin grumbulluar shumë persona të cilët po kërkonin që të dërgohej në spital.

Po ashtu, dëshmitarët thanë se në momentin kur fëmija po mbahej brenda hapësirave të marketit, pranë saj po qëndronte edhe një fëmijë tjetër. Dëshmitarët po ashtu i rrëfyen Nacionales se fëmija dhe familja e saj jetojnë në ndërtesën përballë, ku edhe ka ndodhur aksidenti dhe ku është e përfshirë ministrja Rozeta Hajdari.

Fëmija i aksidentuar është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilët edhe janë prononcuar për Nacionale.

“Gjatë ditës së djeshme pacienti në fjalë është trajtuar tek ne. Nuk ka pasur lëndime serioze, vetëm një gërvishtje në këmbë. Pas ekzaminimit ai është liruar për në shtëpi”, ka deklaruar për Nacionale.com, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.

Po ashtu, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është prononcuar dhe ka treguar se rasti është inicuar në procedurë të kundërvajtjes.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se pas informimit të prokurores kujdestare nga policia, bazuar në raportin mjekësor se, personi i mitur pasi ka pranuar tretman mjekësor është liruar në gjendje të mirë në shtëpi, konform dispozitave ligjore, rasti është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes”, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka dalë me dy raporte, mbrëmjen e aksidentit dhe sot, për rastin në fjalë.

Sot, Policia e Kosovës më në fund ka dhënë pak detaje për aksidentin e ministres Rozeta Hajdari, e cila të dielen shkeli me veturën e saj një 9-vjeçare në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka zgjedhur që vetëm me një paragraf të tregojë për rastin por në të cilin tregojnë se shkaktar i aksidentit kishte qenë shpejtësia e papërshtatshme për atë zonë banimi.

Po ashtu, sipas policisë, fëmija 9-vjeçar ka pranuar tretman mjekësor dhe rasti është hapur si “aksident trafiku me lëndime”.

“Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 - 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Në anën tjetër, një raport i Policisë i publikuar mbrëmë në media thoshte të kundërtën e raportit të sotëm.

Në këtë raport bëhet e ditur se ministrja Hajdari nuk përshtati kushtet e rrugës dhe tejkaloi shpejtësinë, çka bëri të lëndohet një fëmijë 9-vjeçar.

“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur ***. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me ** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin që u publikua mbrëmë.

Në të dyja raportet, siç mund ta shihni, është bërë një huqje e gjinisë së këmbësores 9-vjeçare.

Lajme të ngjashme