“A je super-kriminele?” – Debat i ashpër në Kuvend për shkeljen e Kushtetutës nga Nagavci - NACIONALE

“A je super-kriminele?” – Debat i ashpër në Kuvend për shkeljen e Kushtetutës nga Nagavci

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se ministrja Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën me rastin e reformës së arsimit në Kamenicë, ka nxitur përplasje të ashpra në Kuvendin e Kosovës.

Në fjalën e saj fillestare para deputetëve të Kuvendit, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, për të paktën dy herë, e ka vlerësuar si formalitet vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka thënë se ka qenë e obliguar që të ndërhyjë, në mënyrë që nxënësit të mos e humbnin mësimin.

“Me vendimin që e kemi marrë kemi konsideruar se është e obligueshme që të përmbushim obligimin që fëmijët të shkojnë në shkollë, duke marrë parasysh se mbrojtja e interesit të fëmijëve është parësore. Nuk kam mundur të jem symbullur ndaj faktit se pa marrë parasysh jetonin në Kamenicë, nuk kanë vijuar mësimin. 441 fëmijë nuk kanë vijuar mësimin për rreth 2 vite. Në një situatë ku fëmijët nuk kanë vijuar mësimin, ka qenë obligim i yni të veprojmë pa paragjykuar ankesat dhe të ofrojmë këtë mësim që nuk ka qenë i rregullt. Fakti që është shkelur ligji për Vetëqeverisje lokale, është vlerësim i natyrës formale. Gjykata Kushtetuese siç e ka përmendur edhe vetë nuk e ka vlerësuar vendimin me të drejtën për arsim e garantuar me Kushtetutë”, ka thënë Nagavci.

PËRPLASJET

Gazeta Nacionale sjell replikat e plota të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Eliza Hoxha – PDK: “Me ligjin për Vetëqeverisje Lokale, kjo kompetencë i takon vetëm komunave, dhe një vendim i tillë arbitrar ka sjellë momentin që flet për shkelje të Kushtetutës. Ju po thoni se keni ushtruar të drejtën për të siguruar arsim për fëmijët. Mendoj që në fund fare, pa dashur të mbaj anë as në kuptimin politik, fakti qëndron mbi atë se çka thotë Gjykata Kushtetuese. Unë kërkoj që formalisht e moralisht ta konsideroni dorëheqjen, e të mos jeni model i fëmijës që ministrja e arsimit që shkel Kushtetutën të jetë ministre.”

Driton Selmanaj - LDK: “E kuptoj që demokracia është kompleks, por e tillë është dhe kështu duhet të respektohet. Gjithmonë prapa një vendimi ka justifikime me orë të tëra, por nuk je në objekt të kultit fetar për të predikuar apo për dëshira. Je bartëse e institucionit për të respektuar ligjet dhe Kushtetutën. Ministrja e ka shkelë Kushtetutën duke keqpërdorur autoritetin. A ndiheni si super-kriminele ministre? Kur Kurti e ka quajtur Mustafën super-kriminel, ai nuk ka qenë fare shkelës i Kushtetutës. Ka shkelë Kushtetutën dhe këtu arsyetohet, mosni kështu. Kryeministër, mos mbani njerëz të tillë në qeveri, me i kërku Gjykatës Kushtetuese prova.”

Adnan Rrustemi – VV: “Ka shkelje të rëndë, dhe jo të rëndë. Ministrja nuk ka bërë asnjë shkelje Kushtetuese. Ministrja ka përmbushur obligimet ligjore, madje edhe kushtetuese për t’iu ofruar arsim të gjithë fëmijëve në Kamenicë. E kur flet Selmanaj për kriminalitetin e shkelje kushtetuese, fjala është për copëtim të Kushtetutës për Zajednicën. Po, e vërtetë është. Nuk kishte interepretim. Ishte e qartë shkelja. Natyrisht që ishte kriminalitet ajo që kishte bërë z. Mustafa.”

Armend Zemaj – LDK: “Kemi të bëjmë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, dhe vendimet e Gjykatës kanë fuqi detyruese, të përgjithshme dhe përfundimtare. Vendimet e Kushtetueses nuk interpretohen, dhe përtej këtyre vendimeve nuk ka interpretim, ju po gaboni. Kjo po të lejohet në aspektin politik. Këtë përgjigje, e këtë leje që po e merr, e ka për detyrë ta thotë kryeministri për dikë që ka ra ndesh me Kushtetutën. Besimi në drejtësi nuk është klishe, por duhet merret si tërësi dhe përmbajësor.”

Besian Mustafa – LDK: “Nuk do të doja të dyshoj në aspektin tuaj të mirë, por kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Të paktën ministre, do të duhej të kërkoje falje, dhe nëse këtë e ke bindje atëherë gjej rrugë tjetër për të arritur te ky qëllim.”

Mirlinda Tishukaj-Sadiku – VV: “Nuk duhet të bëhet politikë me këtë çështje. Është kompetencë e komunës të bëhet riorganizimi, por ma thoni si prindër: fëmijët e Kamenicës kanë humbur më shumë se dy vjet. Është e drejtë kushtetuese që t’u ofrohet mundësi shkollimi. Ashtu-kështu kemi humbur shumë nga pandemia, ma merr mendja që riorganizimi i shkollave do të duhej të bëhej në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, e jo për teka personale të luhej me fatin e atyne fëmijëve.”

Albana Bytyqi – AAK: “Ne nuk jemi kundër fëmijëve, por jemi kundër ministres e cila e ka shkelur Kushteutën, është mirë me dhanë dorëheqje.”

Bekim Haxhiu – PDK: “Ka pasur angazhim nga MASHTI për zgjidhjen e atij problemi. Sot kemi një vendim të Kushtetueses, dhe e drejta për shkollim ka qenë te prindërit dhe nxënësit, në veçanti kur kemi pasur mbyllje të shkollave me brezin kufitar në Serbi. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e jep vendimin, por asnjëherë nuk e zbeh të drejtën e fëmijëve të Kamenicës për shkollim. E drejta është te fëmijët e Kamenicës.”

Valentina Bunjaku Rexhepi – LDK: “Në Komision kemi kërkuar që reforma të jetë gradualisht. Por kjo nuk dmth që ministrja të hyjë direkt në kompetencat komunale. Ata nxënës kanë qenë në gjendje të mjerueshme me vendimin e kryetarit e Kamenicës. Ndërhyrja juaj si ministre ka arritur që në Kamenicë të fitoni poena elektoralë, t’i fitoni zgjedhjet, dhe keni arritur që ish-kryetari t’i humbë zgjedhjet në arsim. Keni pasur aftësi për populizëm, keni ndërhy dhe duhet të kërkoni falje.”

Arbërie Nagavci – ministre e Arsimit: “Mësimi ka qenë alternativ për t’iu kompensuar pak humbjet atyre 441 fëmijëve. Nuk është përdorur politikisht asnjëherë nga ana ime. Jam munduar të jem profesioniste, ndryshe që e kanë përdorur të tjerët. Ne kemi bërë përpjekje të shumta. Sot dhe çdo ditë jam e obliguar të kem parasysh interesin e fëmijëve pa paragjykuar që persona të caktuar mund ta adresojnë. Duhet t'u ofrohet shkollimi atyre fëmijëve. Sot dhe gjithmonë do të jem në mbrojtje të së drejtës. Për aspektet formale jam e gatshme të diskutojmë.”

Lajme të ngjashme