Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Kropishtit në Selenicë, duke djegur dhjetëra hektarë me shkurre dhe pemë, si dhe një numër të konsiderueshëm ullinjsh shekullorë dhe të rinj.
Flakët janë izoluar vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 04:30, pas një operacioni të zgjatur për neutralizimin e vatrës së zjarrit.
Në aksion për shuarjen e flakëve janë angazhuar banorë të zonës, së bashku me forcat zjarrfikëse të Vlorës dhe Selenicës, të cilët kanë punuar gjatë natës për të vënë nën kontroll situatën.
Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 27 hektarë tokë me shkurre dhe pemë. Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në ullishtet e zonës, ku janë përfshirë nga flakët si ullinj shekullorë, ashtu edhe pemë të reja.
Puna për vlerësimin e plotë të dëmeve vijon, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar edhe shkaku i rënies së zjarrit.














