Politologu dhe studiuesi i njohur Afrim Krasniqi ka publikuar një relacion të Komitetit të Partisë, në Lushnje, i cili është mbajtur pas vizitës së shenjtores Nënë Tereza në Shqipëri, në fund të viteve 1980, kur regjimi e lejoi të vinte në atdhe.
Sot, në Shqipëri është ditë pushimi zyrtar për shkak të ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezës (më 5 Shtator), por ndërkohë që në vend festohet e pushohet, dikur regjimi komunist refuzoi çdo kërkesë të saj për të vizituar nënën, e më pas kur ajo ndërroi jetë, për të shkuar në varrin e saj.
Ai publikon dhe një relacion të Komitetit të Partisë në Lushnjë, ku fillimisht vizita vlerësohej dhe pastaj vijohej me pyetje e pyetje, ca naive, por shumica klasike për një regjim e kulturë ateiste, izolatore dhe të bazuar në luftën e klasave.
Shkruan Afrim Krasniqi:
Një ditë pushimi për Nënë Terezën! Duhej të ishte ditë nderimi dhe angazhimi, por në traditën tonë preferohet të pushohet, me kujdesin ligjor që kur pushimi bie në fundjavë, shtyhet edhe një ditë tjetër periudha e pushimit!
Nejse. Nënë Tereza i meriton nderimet. Ne jemi me fat që e kishim/kemi, dhe përbën një nga pasaportat më të njohura dhe më të respektuara për imazhin shqiptar në botë. Por, le të kujtojmë se ne ishim vendi i vetëm në botë që nuk kam bëmë as dy reshta lajm kur ajo mori çmimin Nobel për Paqe. E refuzuam. E refuzuam edhe kur kërkoi të vizitonte nënën e saj. E refuzuam edhe kur kërkoi të marrë pjesë në varrimin e nënës së saj. E refuzuam edhe kur kërkoi të ndihmojë vendin e saj.
Pastaj në fundin e viteve ’80, regjimi e lejoi të udhëtojë në Tiranë, “udhëtim privat”, më shumë për ta përdorur për imazh dhe shenjë ndryshimi sesa për të kërkuar ndjesë dhe respektuar atë. Vijimi dihet. Për info, pas vizitës së parë Partia informoi strukturat e saj për vizitën “që të mos ketë keqkuptime” dhe të gjitha strukturat në vend bënë mbledhje. Në relacione, vizita vlerësohej pastaj vijohej me pyetje e pyetje, ca naive, por shumica klasike për një regjim e kulturë ateiste, izolatore dhe të bazuar në luftën e klasave. Ja një pjesë e relacionit të njërit prej komiteteve të partisë (Lushnje), - pyetje tipike shqiptare: botëkuptimi (d.m.th., bindja politike), kush e paguan, sa mbështetëse e socializmit është, ku banon dhe nga vjen, si iku jashtë dhe natyrisht, pse ka veshje fetare?!
Shumë prej atyre që hartuan relacione të tilla më pas krenohen se kanë qenë pjesë e pritjeve zyrtare me të, dhe në tranzicion kanë botuar edhe kujtime. Ata dhe të tjerët, në nivel lart në Byro dhe në organizatë partie, shumë prej tyre edhe drejtues e figura politike me ndikim publik & drejtësi gjatë tranzicionit, nëse ende jetojnë, sot janë duke pushuar për të “nderuar” Nënë Terezën.
Kohë paradoksesh/kontrastesh, por edhe të vërtetash përmes dokumenteve që na ndihmojnë të kuptojmë më mirë të pathënat e të kaluarës tonë, por edhe mbi të gjitha si ishim, si nisi, si vijuam dhe si jemi.
