Flash News

E-TJERA

Beleri pas zjarrit në Himarë: Paratë shkojnë për festivale, mungojnë zjarrfikëset

fredi-beleri-770x433.png

Pas zjarrit masiv që përfshiu Himarën gjatë fundjavës, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, prona dhe sipërfaqe të gjelbra, eurodeputeti Fredi Beleri ka kritikuar mënyrën se si institucionet qendrore dhe vendore u përballën me situatën.

Në një intervistë në Syri TV, Beleri tha se është e papranueshme që një bashki me të ardhura të konsiderueshme nga turizmi të mos ketë kapacitete të mjaftueshme për përballimin e emergjencave.

Sipas tij, Himara kishte në dispozicion vetëm dy mjete zjarrfikëse, njëra prej të cilave, sipas deklaratës së tij, ishte pa ujë. Beleri e lidhi këtë situatë me mënyrën se si, sipas tij, janë përcaktuar prioritetet e shpenzimeve të bashkisë.

Ai e cilësoi mungesën e kapaciteteve për përballimin e zjarreve si të papranueshme, veçanërisht në kushtet kur zjarret masive po bëhen më të shpeshta në Europë dhe në botë.

"Problemi për zotin Tavo ishte, jo pse erdhi në fillim, jo pse mungonte tani. Problemi real ishte shteti këtu kishte me Himarën, që nuk gjenden tani në Himarë në gjendjen kritike, është normale. Ishte një natë shumë e vështirë për banorët, ishte një tmerr i vërtetë, që ndodh në gjithë Evropën, po ndodh në gjithë botën dhe duhet ta kishim parashikuar. Duhet të kishim marrë masat që të mos ndodhte. Kur ndodh një fenomen në rrethe, përqark, është punë kohe që të ndodhi edhe tek ne.

Zjarret, duke u bazuar edhe te ndryshimi i klimës që po ndodh në gjithë botën, është një buxhet që bëhet se si të mbrohesh, se si të organizohesh me emergjencat civile. Ne në Himarë kemi prioritet festivale, këngë, valle, argëtim, pra na mungojnë dritat, na mungon uji në një përqindje të caktuar, na mungojnë dy makina zjarrfikëse dhe kemi harxhuar mijëra euro për të argëtuar turistët që as s'kanë nevojë për argëtim besoj.

Sigurisht janë me mijëra rrënjë ullinj, ka dhe ullinj shekullorë që janë djegur. Besoj se ky dëm që të rikuperohet është shumë e vështirë, po duhet shteti, bashkia të jenë afër që t'u japin ndihmë në këto ditët e para. Shtëpitë e djegura duhet menjëherë t'u jepet një ndihmë sociale për harxhet e para, të mundohen këta njerëz të gjejnë një shtëpi tjetër për të ndenjur.

Domethënë në gjithë Evropën vjen me një procedurë shumë të shpejtë, vjen shteti dhe jep pesë deri dhjetë mijë euro për t'u ndodhur atyre në ndihmë. Kurse zoti Rama erdhi dhe tha të bëhemi më të fortë...Nuk bëri kryeministrin po bëri njeriun që i dhimbset dhe i vjen keq... bëri komshiun e mirë. Po roli i një kryeministri është t'u gjendet njerëzve që kanë nevojë dhe t'i ndihmojë për këto ditët e para, derisa të marrin veten.

Po është një fenomen, flakë, kjo që ndodh në gjithë Evropën, në gjithë botën, është një fenomen që këtej e tutje do jetë edhe më i pranishëm dhe duhet të marrim masa. Të paktën për një bashki me kaq të ardhura, është e papranueshme të mos ketë makina zjarrfikëse. Kishte një zjarrfikëse me ujë dhe një pa ujë që bënin xhiron nëpër Himarë", tha Beleri. 

Të fundit